(VIDEO) Liderët politik shqiptar në rajon bëjnë thirrje për pjesëmarrje masive në votime në Serbi
Liderët politik shqiptarë në rajon kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive të shqiptarëve në zgjedhjet e sotme në Serbi. Kryeministri I Kosovës Albin Kurti I cili ishte promotori bashkimit të partive politike shqiptare, u bëri thirrje shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës që të dalin masivisht në zgjedhje dhe të votojnë “Koalicionin Shqiptar”.
Sinkron: Albin Kurti, kryeministër i Kosovës
“U bëj thirrje bashkëkombësve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, të përfshihen aktivisht e të dalin secili e secila për të votuar dhe të mbështesin numrin 17, ‘Koalicionin Shqiptar’. Fletëvotimi peshon pak në dorë, por vendimi peshon mbi të ardhmen”.
Një thirrje për votim për shqiptarët të cilët jetojnë dhe veprojnë në Maqedoninë e Veriut, e bëri edhe bashkëkryetari i VLEN-it Izet Mexhiti.
Tabel: Izet Mexhiti, bashkëkryetar i VLEN-it
“Një mesazh të veçantë ua drejtoj edhe shqiptarëve të Luginës që jetojnë e veprojnë në Maqedoninë e Veriut, në Çair, në diasporë dhe kudo tjetër. Pjesëmarrja dhe vota e secilit qytetar me të drejtë vote kanë rëndësi, sepse largësia nga vendlindja nuk e zbeh lidhjen me të dhe përgjegjësinë për të ardhmen e saj”.
Sipas kryetarit të Lidhjes Shqiptare Ziadin Sela, shqiptarët e Luginës në këto zgjedhje, më shumë se kurrë, kanë motiv dhe arsye për të dalë masovikisht në zgjedhjet parlamentare.
Tabel: Ziadin Sela, kryetar i Lidhjes Shqiptare
“Bashkimi i subjekteve politike duhet të reflektojë edhe në bashkim dhe mobilizim të çdo shqiptari me të drejtë vote, për të arritur suksesin historik dhe përfaqësimin dinjitoz në shtetin që po bën padrejtësinë më të madhe ndaj bashkëkombasve tanë”.
Edhe kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, një ditë më parë bëri thirrje për votim masiv të “Koalicionit Shqiptar”. Thirrje të ngjashme ka bërë dhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari.
Ndërkohë, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ferit Hoxha, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës që të marrin pjesë masivisht në votime.
Tabel: Ferit Hoxha, ministër i Jashtëm i Shqipërisë
“Çdo votë ka rëndësi. Sa më e madhe pjesëmarrja, aq më i fortë është zëri juaj për të drejtat, përfaqësimin dhe të ardhmen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Dilni dhe votoni. Për zërin tuaj, për të drejtat tuaja, për të ardhmen tuaj”.
Shfrytëzojeni të drejtën tuaj demokratike të votës për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve. Kështu porositi shqiptarët e vendbanimeve shqiptare, për zgjedhjet e ditës së sotme, presidentja e Kosovës Justina Shiroka Pula.
Tabel: Justina Shiroka Pula, presidente e Kosovës
“Bashkimi është çelësi i përfaqësimit më të fuqishëm politik. Prandaj, bashkë në listë dhe bashkë në votim. Për më shumë deputetë shqiptarë në Parlamentin e Serbisë. Për një zë më të fuqishëm në mbrojtje të të drejtave, dinjitetit dhe interesave të shqiptarëve”.
Këto zgjedhje vlerësohen si mundësi historike për të rritur numrin e deputetëve shqiptarë në Kuvendin e Serbisë, ku zakonisht ata janë përfaqësuar me vetëm një deputet.
Emine Ismaili Luzha/SHENJA

