(VIDEO) Liderët në takimin “më të mirë të 35 viteve”, mungoi Filipçe

(VIDEO) Liderët në takimin “më të mirë të 35 viteve”, mungoi Filipçe

“Për herë të parë pas 35 viteve u mbajt një takim i liderëve në të cilin u ofruan zgjidhje dhe nuk u gjeneruan konflikte”.Kështu e përshkroi kryeministri Hristijan Mickoski takimin e liderëve, të thirrur nga ai, që zgjati plotë 3 orë. Në takim përveç kryeministrit morën pjesë, koalicioni VLEN me BIlall Kasamin dhe Bekim Qokun, Aleanca Kombëtare për Integrim me Ali Ahmeti dhe Rina Ajdarin, ZNAM u përfaqësua nga sekretari i përgjithshëm i partisë Goran Minçev dhe Boban Karapejovski dhe partia Levica nga Dimitar Apasiev.

Kryeministri Mickoski në prononcimin pas takimi tha se për shumë çështje kemi qëndrime të njëjta, ndërsa theksoi se janë marrë vesh për shfuqizimin e qeverisë teknike, implementimin e projektit “Safe City” nga 1 shkurti dhe për miratimin e ligjeve që janë pjesë e agjendës reformuese.

Hristijan Mickoski, kryeministër             

“Për mua është e rëndësishme që të gjithë pjesëmarrësit thanë se takimi ishte konstruktive, për mua kjo paraqet kënaqësi, sepse opinioni kishte rastin të shoh një qasje të re drejt zgjidhjes së problemeve. Kam propozuar që takime të këtij formati të ketë edhe në të ardhmen. Ajo që kërkon zgjidhje shumë shpejtë, ajo është Ligji për kundërvajtje që kërkon 2/3 e votave…për qeverinë teknike të gjithë pajtuam se qeveria teknike duhet t’i takoj të kaluarës”.

Kryetari i Lëvizjes Besa dhe njëherit njëri nga liderët e VLEN-it Bilall Kasami u shpreh se propozimi i tyre i shprehur edhe në takim është që qeveria teknike të shfuqizohet pas mbajtjes së zgjedhjeve të ardhshme të rregullta parlamentare. Ndërsa tregoi qëndrimin edhe për Kodin Zgjedhor.

Bilall Kasami, lider nga koalicioni VLEN   

“Kërkuam që të shikohet mundësia që të ketë diaspora më shumë mundësi për të votuar, sepse ne vlerësojmë se diaspora është kontribuues i rëndësishëm i zhvillimeve veçanërisht ekonomike në vend, po ashtu edhe mundësia që të kemi lista të hapura dhe sigurisht që u diskutuan disa mundësi për zona zgjedhore, por ne nuk kemi të ndërtuar ende qëndrim”.

Kryetari I BDI-së Ali Ahmeti për shfuqizimin e Qeverisë Teknike tha se do të duhet konsultime me faktorin ndërkombëtar, gjegjësisht BE-në dhe SHBA-në. Ndërsa, shtoi se për disa tema ende të pakonsumuar e kanë lënë që me kryeministin të zhvillojnë takim tet a tet.

Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së   

“Disa pika që unë kam menduar që ti vë në këtë tryezë të komunikimit mbetën që në të ardhmen të zhvillohet një takim mes meje dhe Mickoskit për t’i diskutuar dhe për të parë se çfarë zgjidhje mund ti japim…Sa i takon qeverisë teknike qëndrimi ynë që ne duhet të konsultohemi me përfaqësues të BE-së dhe SHBA-së”.

Kryetari i Partisë Levica, Dimitar Apasiev, u shpreh se kanë rënë dakord në parim që të miratohet një Kod i ri Zgjedhor deri në fund të pranverës.

Dimitar Apasiev, kryetar i Levicës 

“U diskutuan modalitetet. Një zonë zgjedhore, me ose pa regjistrim zgjedhor, lista të hapura ose të mbyllura. Komunikimi do të vazhdojë në nivelin e koordinatorëve të grupeve parlamentare në Kuvend me disa nga ministrat në Qeveri.

Edhe deputeti i partisë ZNAM Boban Karapejovski tregoi qëndrimin e partisë për Kodin Zgjedhor.

Boban Karapejovski, deputet           

“Për ne, është e pranueshme zgjidhje e re me një njësi zgjedhore, e cila do të sigurojë barazi më të madhe të votës së çdo qytetari dhe përfaqësim më të drejtë politik. Ne besojmë se financimi i partive politike duhet të rregullohet qartë dhe saktë”.

Në pyetjen se përse mungon kryetari i partisë pasi ftesa ishte për takim liderësh Karapejovksi tha se Maksim Dimitrievski kishte aktivitete të dakorduara prej më herët jashtë shtetit. Ndëraq, në tavolinën e liderëve mbeti e zbrazët karrika e kryetarit të LSDM-së, Venko Filipçe, i cili nuk e pranoi ftesën e kryeministrit për takim. Emine Ismaili Luzha /SHENJA/

MARKETING