(VIDEO) Levica: Qeveria ka shpenzuar mbi një milion euro për promovim

(VIDEO) Levica: Qeveria ka shpenzuar mbi një milion euro për promovim

Levica sot ka akuzuar VMRO-DPMNE-në qeveritare se ka shpenzuar 21.2 milion denarë për interesa promovuese të partisë. Deputeti I kësaj partie Krume Bogevski tha se më 1 shtator të këtij viti qeveria e VMRO-DPMNE-së ka nënshkruar kontratë me vlerë prej 21.2 milionë denarë për produksion të videove, fotografi dhe një fushatë komunikimi për projektet qeveritare. Siç tha ai, kontrata iu dha përsëri “Friday Communications”, një kompani pronare e së cilës, sipas të dhënave të publikuara, është MK MEDIA GROUP EOOD, e regjistruar në Blagoevgrad, Bullgari.

KRUME BOGEVSKI, DEPUTET I LEVICËS

VMRO-DPMNE-ja, e cila ndërton retorikë patriotike rreth Bullgarisë, nuk e ka problem që më shumë se 700 mijë euro nga paratë publike të Maqedonisë të përfundojnë në një kompani me kapital bullgar kur bëhet fjalë për promovimin e tyre. Por ky nuk është shpenzimi i vetëm i shumave të mëdha për imazh politik dhe shikueshmëri. Ndërsa Maqedonia ishte në zi pas tragjedisë në Koçan në mars 2025, vetëm tre ditë pas zjarrit, Qeveria nënshkroi një kontratë me vlerë 22.8 milionë denarë për hulumtimin e opinionit publik dhe matjen e shikueshmërisë së vet”.

Bogevski thotë se në pak më shumë se një vit, Qeveria ka shpenzuar mbi një milion euro para publike për të filmuar, fotografuar, promovuar dhe kontrolluar se çfarë mendojnë qytetarët për të.

KRUME BOGEVSKI, DEPUTET I LEVICËS

Populli paguan që Qeveria të filmohet, populli paguan që Qeveria të fotografohet, populli paguan për një fushatë për t’u shpjeguar atyre se sa mirë po punon Qeveria, dhe pastaj të njëjtët njerëz paguajnë për sondazhe që Qeveria të kontrollojë nëse ka arritur t’i bindë. A paguajnë qytetarët taksa që Mickoski të marrë një parashikim politik meteorologjik çdo mëngjes a është rejtingi i tij me diell, me re apo me mundësi reshjesh?”.

Nga Levica thonë se ndërsa Qeveria gjen miliona për promovimin e saj politik, ajo vazhdimisht i referohet kufizimeve buxhetore për nevojat reale të qytetarëve.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING