(VIDEO) Kosovë, një vit nga sul’mi terr’orist në Banjskë
Një vit më parë në fshatin Banjskë të Zveçanit, një grup i armatosur i prirë nga ish-politikani Millan Radoiçiq, sulmoi Policinë e Kosovës.
Sot, kryeministri Albin Kurt, kryeparlamentari Glauk Konjufca e ministra të kabinetit qeveritar, kanë bërë homazhe në vendin e ku ndodhi sulmi terrorist dhe pranë varrit të heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku. Nga aty, kryeministri Kurti tha se sakrifica e heroit nuk do të harrohet kurrë.
ALBIN KURTI, KRYEMININISTËR I KOSOVËS
“Rënia e Afrim Bunjakut është dëshmi që Kosova edhe i del zot vetes edhe ngadhënjen në çdo betejë. Sot që po flasim, Kosova nuk ka burime të brendshme që e cenojnë sigurinë apo stabilitetin e të cilat ne nuk arrijmë t’i kontrollojmë apo menaxhojmë. Anembanë Kosovës, në çdo cep është shteti i Kosovës, shteti i Republikës demokratike dhe të pavarur të Kosovës, të cilës i shërbejmë me nder dhe përkushtim. Numri i policëve me kadetë të rinj po rritet, morali i policisë sonë edhe ushtrisë tonë kurrë s’ka qenë më i lartë, andaj kjo sakrificë, ky flijim i rreshterit të policisë, të heroit Afrim Bunjaku ia ka vlejtur fort për Policinë, për shtetin dhe për gjeneratat e ardhshme”
Presidentja Vjosa Osmani, e ka rikujtuar heroin Afrim Bunjaku. Duke theksuar se se vrasja e rreshterit tregon se Kosova është dhe do të mbetet e pandashme. Edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se heroi Afrim Bunjaku është shembulli më i mirë për vetëmohim.
Zëvendësdrejtori i Policisë në veri, Veton Elshani tha se tani situata e sigurisë në krahasimi me vitin e kaluar është si “nata me ditë”.
Aktakuza që ngriti Prokuroria Speciale e Kosovës kundër 45 personave të prirë nga Millan Radojçiq për sulmin në Banjskë, i ngarkon shumicën e tyre për kryerje të terrorizmit dhe të veprave të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës. /SHENJA/