(VIDEO) Konfiskohen në Tabanoc 500 mijë euro, arrestohet shoferi
Gjysmë milioni euro mjete të gatshme janë konfiskuar nga ana e Sektorit për Kontroll dhe Hetime përmes Departamentit për Punë Operative në dogana. Siç njoftoi drejtori i Doganave, Boban Nikollovski mjetet u konfiskuan në pikën kufitare në Tabanovc në hyrje të Maqedoni së Veriut dhe të njejtat ishin fshehur në një bunker special të krijuar brenda një minibusi që rezulton të jetë në pronësi të një agjencie turisktike nga Republika e Shqipërisë.
Drejtori gjithashtu njoftoi se kjo është shuma më e madhe që është konfiskuar ndonjëherë nga doganat e vendit dhe se gjatë kontrolleve të kryera me minibusin veç shoferit kishte edhe shtatë pasagjerë të tjerë.
I pyetur nga TV Shenja, Nikollovski tha se mjetet janë konfiskuar nga një aksion i rastësishëm dhe jo i kordinuar me ndonjë institucion ndërkombëtar ose rajonal dhe se për të njëjtin nuk kanë pasur informacione paraprake.
BOBAN NIKOLLOVSKI, DREJTOR I DOGANAVE
“Ekipi mobil i përfshirë në aksion ka vërejtur modifikimet e bëra në automjet me çka kanë kërkuar që i njëjti të kontrollohet nga qeni kufitar i cili zbuloi indikacione për kontrabandë. Dyshimet u konfirmuan me skanimin e automjetit nga Shërbimi i Skanimit Mobil, pas së cilës inspektorët vazhduan me heqjen e profilit, në të cilin gjetën 14 qese në të cilat ishin fshehur 500 mijë euro”.
Nikollovski gjithashtu njoftoi se mjeti me të cilin po transportoheshin mjetet është konfiskuar dhe se drejtuesi i të njejtit me nënshtetësi shqiptare, është arrestuar.
Zyrtarët që kanë zbuluar kontrabandën do të shpërblehen në përputhje me ligjin në fuqi, njoftoi drejtori.
Tha se mjetet e konfiskuara do të dorëzohen në Bankën Popullore dhe pastaj do të futen në buxhetin shtetëror.
BOBAN NIKOLLOVSKI – DREJTOR I DOGANAVE
“Edhe nëse ishte ose nuk ishte destinacioni final Maqedonia, këto mjete kanë përfunduar në buxhetin e Maqedonisë së Veriut. Gjysmë milioni euro, kështu që këto janë rrugë të reja, spitale të reja, shkolla të reja. Vendin ku janë fshehur mjetet nuk do ta zbulojmë se pastaj të tjerët nuk do të provojnë t’i fshehin në vendin e njëjtë, mendoj se video flet mjaftueshëm për ata të cilët me vëmendje do ta ndjekin, ndoshta edhe më shumë se ajo që ne duhet zbulojmë”.
Nikollovski gjithashtu shtoi se institucionet vendore janë në komunikim të vazhdueshëm me institucionet shqiptare për procedurën e mëtejme. Ai foli edhe për aksionet tjera të doganave të realizuara brenda këtyre ditëve, ku mes tjerash u kap edhe një shufër e pastër ari e fshehur nga ana e një pasagjeri e rëndë afërsisht 850 gram.
Mevludin Imeri /SHENJA/

