(VIDEO) Komuna Kisella Vodë gjobitet me 84 mijë euro, la mbeturinat para deponisë “Drislla”
Komuna e Kisella Vodës do të duhet të paguajë 84 mijë euro për deponimin e paligjshëm të mbeturinave para deponisë “Drisla” në Shkup. Kryetari i komunës Orce Gjorgjievski thotë se këtë veprim të kryetares së qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, e ka marrë vesh përmes mediave dhe shton se inspektorët e qytetit kanë qenë nën presion të madh për të ndëshkuar komunat, të cilat tri ditë më parë kanë pastruar mbeturinat nga rrugët dhe kontejnerët vetë.
Gjorgjievski paralajmëroi se gjobën do ta kontestojë në gjykatë dhe informoi se nuk ka nevojë për asnjë kontratë me deponinë “Drisla” sepse ka pasur vendim në vitin 2005 që të gjitha komunat mund të hedhin mbeturinat në deponi në çdo kohë dhe për ta do të ketë një faturë.
ORCE GJORGJIEVSKI, KRYETAR I KOMUNËS KISELLA VODË
“Këtu janë faturat hyrëse në komunë, disa ditë para javës kur na penguan të linim mbeturinat. Pesha e mbeturinave për hyrje në Drisla shihet dhe nga aty krijohet fatura. Kjo është përgënjeshtrim i gënjeshtrave të Arsovskës dhe punëtorëve të saj”.
Ai sqaroi se u detyruan t’i linin plehrat para portave të deponisë pasi kanë pritur një orë e gjysmë dhe se nuk kanë pas zgjidhje tjetër.
Gjorgjievski tha se janë duke e shqyrtuar mundësinë e kallëzimit penal ndaj Arsovskës dhe drejtoreshës së Higjienës Komunale, Kosana Mazneva, pasi siç tha ai, në periudhën e kaluar kanë kërcënuar shëndetin e qytetarëve.
Javën e kaluar punëtorët e “Higjiena Komunale” dolën në protestë duke kërkuar të drejta më të larta dhe në shenjë revolte për kolegët e larguar nga puna vendosën të mos i mbledhin mbeturinat në Shkup. Kryetarët e komunave të Shkupit nga VMRO-DPMNE para tri ditësh u organizuan dhe filluan me pastrimin e komunave që menaxhojnë. /SHENJA/