(VIDEO) Koalicionet shqiptare shpallën emrat e shumicës së kandidatëve

Në skenën politike të Maqedonisë së Veriut, garat për zgjedhjet lokale kanë hyrë pothuajse në një fazë vendimtare. Partitë politike kanë zbuluar shumicën e kandidatëve për komunat me shumicë shqiptare, duke ngritur temperaturat elektorale dhe pritshmëritë në terren. Emra të njohur, por edhe figura të reja, tashmë po kandidojnë për të fituar besimin e qytetarëve, nga ku kandidat i VLEN-it në Tetovë do të jetë kryetari i deritanishëm, Bilall Kasami. Në Çair do të kandidojë zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së RMV-së, Izet Mexhiti. Në Strugë VLEN-i e mbështet kandidatin e pavarur Mendi Qyra. Në Kërçovë VLEN-i do ta ketë kandidat ministrin e Politikës Sociale, Fatmir Limanin.
VLEN-i po ashtu ka publikuar emrat edhe në komunat e tjera me përjashtim të Gostivarit, Vrapçishtit, Studeniçanit dhe Çashkës. Për këtë ata thonë që janë në bisedime me disa kandidatë të mundshëm dhe në përpjekje për t’i ofruar emrat më të mirë për këto komuna.
Nga ana tjerët, edhe Fronti Europian, i cili bashkë me ASH-në e Taravarit tanimë ka marrë emrin Aleanca Kombëtare për Integrim, ka shpallur shumicën e kandidaturave për komunat.
BDI deri më tani ka kumtuar tre kandidatët e saj. Në Komunën e Çairit do të jetë nënkryetar i partisë Bujar Osmani, në Komunën e Tetovës do të jetë Bajram Rexhepi, po ashtu nënkryetar i BDI-së, ndërsa në Komunën e Zhelinës, kandidat do të jetë Emir Sulejmani.
Ndërkaq ASH-ja e Taravarit do të kandidtojë në katër komuna me emra të përzgjedhur prej saj. Kandidat i ASH për komunën e Sarajit do të jetë sekretari gjeneral i partisë Blerant Ramadani. Kandidat për kryetar të Tearcës nga ASH do të jetë Nazim Taipi, kryetar i kuvendit të partisë. Kandidat për kryetar të Vrapçishtit do të jetë Isen Shabani, kryetar aktual dhe kandidat për kryetar të komunës së Gostivarit do të jetë kryetari aktual, Valbon Limani.
Edhe ASH-ja e drejtuar nga Ziadin Sela do të ketë kandidatët e saj në tre komuna, nga ku ata kanë propozuar që për kandidatë të Komunës së Strugës Arsim Dalipin, specialist urolog. Për kandidatë për kryetar të Dibrës prof.Ilirijan Fetahun dhe për komunën e Haraçinës, Skënder Isufin.
Nga Fronti Europian kanë paralajmëruar se do të kenë kandidat edhe për qytetin e Shkupit, por emër nuk është shpallur ende. Po ashtu ende nuk dihet se kush do të garojë për kryetar të Kërçovës nën logon e Frontit Europian, por emri më i përfolur deri më tani është i kryetarit aktual Fatmir Dehari. Nga Fronti po ashtu pritet të merren vesh edhe emrat e kandidatëve për Bogovinën, Bërvenicën, Dollnenin dhe Likovën.
Ndërkaq, kryetari aktual i Studeniçanit, Azem Sadiku, një ditë më parë shpalli kandidaturën e tij si i pavarur për këtë komunë.
Anida Limani /SHENJA/