(VIDEO) Katër ditë pas interpelancës, situata me kryetaren e komisionit Ilire Dauti mbetet e paqartë
Kuvendi ende nuk ka sqaruar se çfarë do të ndodhë me kryetaren e Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, Ilire Dauti, pasi deputetët miratuan interpelancën kundër saj. Me që, interpelanca siç kanë sqaruar paraprakisht nga Kuvendi, në vete nuk ka efekt juridik, nga Kuvendi nuk janë përgjigjur nëse do të iniciojnë procedurë të veçantë për shkarkimin e saj. Zëdhënësi i VLEN-it, Driton Sulejmani, në konferencë për media, tha se interpelanca për Ilire Dautin, nuk nënkupton shkarkimin e saj automatikisht dhe se kjo do të varet nga vullneti i saj.
Driton Sulejmani, Zëdhënës i VLEN-it
“Kjo situatë varet nga vullneti i saj. Mund të ketë rast që ajo vet të jep dorëheqje, por vendimi është i saj. Votimi i interpelancës nuk nënkupton shkarkimin e saj. Për shkarkimin e saj do të duhet të ndjeket procedurë tjetër këtë shumë e mirë e sqaruan edhe kabineti i kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi dhe Ilire Dauti vazhdon të mbetet kryetare e këtij komisioni, derisa nuk ngritet ndonjë procedurë tjetër ashtu sic e përcakton rregullorja e punës së Kuvendit të RMV-së”.
Deputeti i VMRO – DPMNE-së, Mile Lefkov tha se deputetët me votimin e interpelancës sollën vendim se është shkelur Rregullorja dhe se nga ai moment kryetarja e komisionit më nuk ka kredibilitet moral që të udhëheqë komisionin.
Mile Lefkov, deputet i VMRO – DPMNE-së
“Askush nuk e konteston të drejtën e koalicionit opozitare të udhëhequr nga BDI për të propozuar kryetar të ri dhe jemi të sigurt se, LSD – BDI – Levica do ta mbështesin propozimin e ri, siç e koordinojnë shpesh herë aktivitetin opozitar në Kuvend”.
Nga ana tjetër nga LSDM thonë se, interpelancë nuk mund të mos ketë asnjë pasojë juridike. Nga partia opozitare, përgjegjësin e hedhin te kryeparlamentari, edhe sa i përket kryetares së komisionit edhe për mos thirrjen e seancës për ligjin e “branitellave”.
LSDM
“E gjithë përgjegjësia edhe rreth mos thirrjes së seancës për ligjin për “branitellat” edhe tani pas mosbesimit të votuar për Dautin është e kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi. Tani pasi është votuar interpelanca, përkatësisht mosbesimit, është po ashtu përgjegjësi e Kuvendit që të kumtojë se çfarë do të ndërmarrë dhe cilat janë hapat e tij të ardhshëm”.
Kujtojmë se, të premten e kaluar në seancë plenare, Kuvendi me 61 vota ‘për’, 22 ‘kundër’ dhe asnjë ‘të përmbajtur’, kaloi interpelancën kundër kryetares së Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, Ilire Dauti. Interpelanca ishte inicuar nga Levica, për shkak të bllokimit të ligjit për “branitellat”, pasi disa herë ka përsëritur se nuk do ta vendosë në rend dite Ligjin për ‘Branitellat’ nëse luftëtarët e UÇK-së nuk trajtohen në të njejtën mënyrë.
Teuta Buçi /SHENJA/