(VIDEO) Kandidatët për president mbledhin nënshkrime, për momentin kryeson Osmani

(VIDEO) Kandidatët për president mbledhin nënshkrime, për momentin kryeson Osmani

Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror Zgjedhor deri të shtunën, 14 360 qytetarë kanë dhënë nënshkrim për kandidatët për president. Mirëpo asnjëri prej kandidatëve, ende nuk i ka grumbulluar 10 000 nënshkrimet e nevojshme.

Më shumë nënshkrime deri tani ka grumbulluar Bujar Osmani, kandidati i BDI-së, 5 405. Të premten zëdhënësi i BDI-së Arbër Ademi, tha se nënshkrimet për Osmanin do t’i grumbullojnë për dy ditë. Pas Osmanit, radhitet kryetari i partisë ZNAM Maksim Dimitrievski 3 613 nënshkrime dhe kandidatja e Levicës Biljana Vankovska Cvetkovska e cila ka mbledhë 2 758 nënshkrime. Rreth  2 000 nënshkrime mblodhi kandidati i partisë GROM, Stevço Jakimovski.

Në garën për president janë gjithsej 13 kandidatë, por gjithë të tjerët kanë mbledhur më pak se 1 000 nënshkrime.

Kandidati i opozitës shqiptare Arben Taravari, ka 246 nënshkrime dhe vetëm tre më shumë ka kandidati i pavarur Velo Markovski, 249.

Kurse kandidatët e LSDM-së, Stevo Pendarovski dhe VMRO-së, Gordana Siljanovska do të shkojnë me mbledhje të nënshkrimeve të 30 deputetëve. Gjegjësisht, sipas rregullores së KSHZ-së, kur paraqitësi i listës së kandidatëve për president janë deputetë, është e nevojshme që mbledhin të paktën 30 nënshkrime nga deputetët.

KSHZ ka bërë me dije se deri sa zgjat mbledhja e nënshkrimeve, një herë në ditë do të njoftoj për numrin e nënshkrimeve të mbledhura për çdo ditë.

Procedura e mbledhjes së nënshkrimeve, e cila ka filluar të premten do të zgjas pa ndërprerë deri më 8 maj, në orën 24:00. Grumbullimi i nënshkrimeve bëhet në të gjitha njësitë rajonale dhe zyrat e KSHZ-së, të vendosura në 34 vetëqeverisjet lokale dhe para noterëve kompetent.

Emine Ismaili /SHENJA/

 

 

MARKETING