(VIDEO) ISHP me rekomandime: Mos dilni jashtë pa nevojë!

Me rritjen e temperaturave në vend, Instituti i Shëndetit publik ka dalë sot me rekomandime, duke bërë thirrje që të respektohen masat e mbrojtjes dhe kujdesit gjatë kohës së temperaturave të larta të ambientit. Rekomandimet vlejnë posaçërisht për personat mbi 60 vjeç, fëmijët, gratë shtatzëna, të sëmurët kronikë, personat me mbipeshë, çrregullime mendore dhe ata që marrin terapi specifike. Rreziku rritet edhe për ata që punojnë ose qëndrojnë jashtë gjatë pjesëve më të nxehta të ditës.
MARKETING
Rekomandimet e ISHP-së
“Shmangni ekspozimin në diell (përfshirë punën jashtë) midis orës 11:00 dhe 17:00. Vishni rroba të lehta dhe të gjera, si dhe syze mbrojtëse dhe një kapelë me strehë të gjerë me ngjyrë të çelët kur jeni në rrezet e diellit. Qëndroni brenda në dhoma me ajër të kondicionuar. Nëse duhet të qëndroni jashtë gjatë kësaj periudhe, gjeni mundësi për të pushuar më shpesh në hije dhe shmangni rrezet direkte të diellit”.
ISHP po ashtu rekomandon që gjatë ditës të mbyllen dritare si dhe të shmangen ushqimet yndyrore dhe me shumë kalori, si dhe ushqimet që përmbajnë një sasi të madhe sheqeri.
Rekomandimet e ISHP-së
“Pini shumë lëngje (mos prisni derisa të keni etje), mundësisht ujë. Kur jeni në një automjet të parkuar, hapni dritaren për të lejuar ajrosjen. Automjetet e mbyllura plotësisht nxehen shumë. Mos lini askënd në automjet! Bëni një dush me ujë sipas nevojës, si alternativë, vendosni kompresa të ftohta dhe mbani këmbët në ujë të ftohtë. Personat me sëmundje kronike, veçanërisht ata me sëmundje kardiovaskulare, neurologjike dhe pulmonare, duhet të jenë veçanërisht të disiplinuar në ndjekjen e këtyre rekomandimeve dhe në marrjen e ilaçeve të tyre të rregullta. Për çdo ndryshim në shëndetin e tyre, ata duhet të konsultohen me mjekun e tyre të kujdesit primare”.
Përveç rekomandimeve, Instituti i Shëndetit Publik dha edhe udhëzime se çfarë të bëni nëse nuk ndiheni mirë. Po ashtu, sqaruan se, nëse ndonjë anëtar i familjes suaj, ose ndonjë person që po ndihmoni, ka lëkurë të nxehtë dhe të thatë, dhimbje barku dhe/ose është pa ndjenja, të telefononi menjëherë në 194 ose 112.
Teuta Buçi /SHENJA/