(VIDEO) Intensifikohen bisedimet për hyrjen e Aleancës për Shqiptarët në Qeveri

(VIDEO) Intensifikohen bisedimet për hyrjen e Aleancës për Shqiptarët në Qeveri

Diskutimet për hyrjen e Aleancës për shqiptarët në qeveri po vazhdojnë. Komisioni i formuar nga ASH-ja po negocion për hyrje të mundshme në qeveri dhe ndarje të resorëve. Ndërkohë dje kryeministri Dimitar Kovaçevski u takua me partnerët e koalicionit për të diskutuar për zgjerimin e qeverisë.

Kryetarja e partisë Liberal-Demokrate , Monika Zajkova konfirmoi se në takimin e kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe liderëve të partnerëve të koalicionit të LSDM-së, është diskutuar ndër të tjera për mundësinë e konsolidimit të shumicës qeveritare.

MONIKA ZAJKOVA, KRYETARE E PARTISË LIBERAL DEMOKRATE 

“Për ne çdo gjë që nënkupton lëvizjen e trenit të shpejtë të Bashkimit Europian dhe agjendën europiane e japim mbështetjen, por kur hyn në koalicion duhet të dimë se cilat do të jenë qëllimet programore të atij koalicioni, cili është ai koalicion dhe cili është qëllimi i tij”.

Ndërkaq, Lideri i Lidhjes Demokratike, Pavle Trajanov, para takimit theksoi se ata insistojnë në respektimin e Kushtetutës dhe se vetëm në atë rast do të mbështesin rindërtimin e Qeverisë. Trajanov beson se BDI duhet të heqë dorë nga dy poste ministrore.

Nga Alternativa konsiderojnë se nuk ka nevojë të negociohet me Aleancën për Shqiptarët, duke vlerësuar se roli i kësaj partie në Qeveri do të ishte që “të zbusë përçarjen në BDI”. Alternativa beson se është logjike që ai që është në hall të heqë dorë nga një pjesë e dikastereve qeveritare që drejton.

Kryeministri Kovaçevski përmes rrjetit social Facebook njoftoi se në takimin e djeshëm kanë diskutuar për aktivitetet që do të ndërmerren këtë vit.

DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR

“Në një atmosferë të këndshme u diskutua për aktivitetet në vitin e ardhshëm 2023, masat dhe politikat e Qeverisë për përballjen me krizën globale energjetike, zhvillimin ekonomik dhe tranzicionin energjetik, zbatimin e programit të qeverisë, reformat për rrugën evropiane dhe hapat për të siguruar të ardhmen europiane të shtetit”.

Deri në fund të javës, Arben Taravari pret që të marrë ofertën fillestare me departamente, por edhe zgjidhjet konkrete ligjore për të cilat janë dakorduar në negociatat joformale mes LSDM-së dhe Aleancës.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

 

MARKETING