(VIDEO) Integrimi gradual në BE, Mickoski: Jemi kuriozë të mësojmë më shumë rreth idesë
“Jemi kuriozë të mësojmë më shumë rreth idesë”, thotë kryeministri Hristijan Mickoski, në lidhje me propozimin e kancelarit gjerman Friedrich Merz për integrim gradual në Bashkimin Evropian. Kryeministri u shpreh se i kanë dëgjuar këto ide për një kohë të gjatë dhe nuk mund të thotë asgjë derisa të bëhen zyrtare. Kancelari Merz shtoi ai, njoftoi për këtë zhvillim të ngjarjeve në Procesin e Berlinit vitin e kaluar, në vjeshtë.
Hristijan Mickoski, kryeministër
“Unë e kam komentuar edhe atëherë se do të ketë propozime të reja, mundësi të reja në rajon.Kështu që ajo që mund të them në këtë pikë është se jemi kuriozë të mësojmë më shumë rreth idesë. Supozoj se kjo do të ndodhë në Samitin që do të kemi tani në Tivat, nga 4-5 qershor. Do të jem atje dhe mezi pres t’i dëgjoj këto koncepte dhe ide. Meqenëse do të kemi më shumë përmbajtje, atëherë do të jemi në gjendje të flasim publikisht”.
Lidhur me vizitën e presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, në RMV Mickoski theksoi se ai gjithmonë ka qenë konstruktiv në kërkimin e një zgjidhjeje për siç e quajti ai, kërkesën artificiale nga një shtet anëtar i BE-së.
Hristijan Mickoski, kryeministër
“Shpresoj se do të vazhdojmë në atë drejtim në të ardhmen dhe jam i sigurt se me praninë e tij këtu dhe gjatë takimit tonë dypalësh dhe më pas në darkën e punës, do të jemi në gjendje të shkëmbejmë më shumë ide, për të parë nëse dhe si mund të kapërcehet kjo çështje”.
Sa i përket çështjeve bilaterale me Bullgarinë, kryeministri u shpreh se në këtë moment nuk e ka ndërmend të lëviz qëndrim asnjë milimetër dhe se nuk e ka ndërmend të plotësoj dëshira, siç deklaroi ai.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/

