(VIDEO) Incidenti para Ambasadës Bullgare, prokuroria çon përpara hetimet për djegien e veturave
Prokuroria Themelore Publike ja ka dorëzuar Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit lëndën që lidhet me personin që vuri flakën veturës zyrtare pranë ambasadës së Bullgarisë për procedim të mëtutjeshëm.
Nga Prokuroria thonë se kanë siguruar të dhëna që tregojnë për elemente të mundshme të veprës penale “Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare”, sipas nenit 420 të Kodit Penal.
Ndërkohë, Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion ka nxjerrë urdhër për zhvillimin e hetimeve ndaj të dyshuarit.
PROKURORIA THEMELORE PUBLIKE
“Duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një vepër penale që hyn në kategorinë e krimeve kundër njerëzimit dhe të drejtës ndërkombëtare, e cila mbështetet në Konventën e Kombeve të Bashkuara për Parandalimin dhe Dënimin e Veprave Penale kundër Personave të Mbrojtur Ndërkombëtarisht, përfshirë përfaqësuesit diplomatikë, prokurori kompetent i ka propozuar gjyqtarit të procedurës paraprake caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh për të dyshuarin”.
Deri më tani, ndaj tij ishte caktuar masa e paraburgimit prej tetë ditësh në procedurë të shkurtuar.
Mevludin Imeri /SHENJA/

