(VIDEO) Incidenti në Kumanovë, thirrje për t’i dhënë fund fyerje me baza kombëtare

“Mërtav Shiptar”, kështu u ngjyros autobusi me të cilin udhëtuan lojëtarët e Klubit të basketbollit Çair 2030, në Kumanovë, të cilët do të zhvillonin ndeshjen e radhës në kuadër të Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut kundër Klubit basketbollist të Kumanovës në transfertë. Por, jo vetëm kaq, takimi u zhvillua në një atmosferë tejet të tensionuar, ku u dëgjuan sharje dhe fyerje me përmbajtje etnike, të papranueshme në çdo fushë, e sidomos në sport. Si pasojë e fyerjeve dhe sharjeve në baza etnike nga ana e delagatit, u dha urdhër që salla të zbrazet menjëherë. Mirëpo, situata eskaloi edhe jashtë parketit, ku pas përfundimit të ndeshjes, tifozët e ekipit të Kumanovës tentuan të vandalizojnë autobusin e klubit shqiptar, duke lënë edhe mbishkrime me përmbajtje nacionaliste dhe fyese.
KB Çair 2030
“KB Çair 2030 dënon ashpër këtë sjellje të turpshme dhe antishtetërore. Sporti është vend i respektit, rivalitetit të shëndetshëm dhe bashkimit, e jo i urrejtjes dhe vandalizmit. U bëjmë thirrje organeve kompetente që të ndërmarrin masa të menjëhershme dhe të hetojnë këtë incident, në mënyrë që akte të tilla të mos përsëriten më në arenat tona sportive”.
Për këtë incident ka reaguar edhe zëvendës ministrja e Sportit Safie Sadiki Shaini. Përmes një reagimi në facebook, ajo thotë se dënon çdo formë të sjelljes diskriminuese dhe provokimeve që cenojnë sigurinë dhe dinjitetin e sportistëve, trajnerëve dhe tifozëve.
Safije Sadiki Shaini, zv/ministre e Sportit
“Kërkoj nga Federata e Basketbollit dhe institucionet përkatëse që të analizojnë me seriozitet këtë rast dhe të marrin masa konkrete për të garantuar që çdo sportist të ndihet i sigurt dhe i respektuar, pavarësisht prejardhjes së tij. Sporti duhet të jetë shembull i bashkëjetesës dhe barazisë. Kjo është përgjegjësi e të gjithëve – dhe mbi të gjitha, e institucioneve”.
Ngjarjet që ndodhën gjatë ndeshjes ndërmjet KB Kumanovës dhe KB Çairit 2030, tha Shaini janë një kujtesë serioze për domosdoshmërinë e një reagimi të qartë institucional kundër gjuhës së urrejtjes dhe ofendimeve në sport.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/