(VIDEO) Hulumtim – Klasat me ajër të ndotur, jeta e fëmijëve në rrezik

(VIDEO) Hulumtim – Klasat me ajër të ndotur, jeta e fëmijëve në rrezik

Fëmijët në Maqedoni të Veriut në shkolla dhe në çerdhe thithin ajër të ndotur. Kështu tregojnë të dhënat e hulumtimit “Ballafaqimi me ndotjen e ajrit” nga UNDP, ku u prezantuan rezultatet për cilësinë e ajrit të brendshëm në shkollat në në Kumanovë, Gostivar, Strumicë, Kavadar dhe Strugë. Dejan Mirakovski, rektor i universitetit Goce Dellçev tha se RMV-ja gati dy herë i tejkalon rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për sa i përket ndotjes së ajrit, prandaj është e nevojshme të merren masa që kushtet në shkolla dhe kopshte t’i bëjnë të shëndetshme dhe të sigurta për fëmijët dhe arsimtarët. Ai njoftoi se ndotja në të pesë qytetet në shkolla është relativisht e ngjashme,ku vlerat mesatare variojnë nga 40 deri në 80 mikrogramë për metër kub përqendrimi mesatar të grimcave PM 2.5.

DEJAN MIRAKOVSKI, REKTOR I UNIVERSITETIT GOCE DELLÇEV

Ne thithim ajër të ndotur brenda dhe jashtë. Ajri i brendshëm është një problem më i madh për ne, sepse 80-90 për qind të kohës sonë e kalojmë brenda, jo jashtë. Por brenda ne mund të ndikojmë, ka më shumë zgjidhje nga sistemet moderne të ventilimit deri te sistemet e thjeshta të filtrimit të ajrit që do të zvogëlojnë përqendrimin e grimcave në kushte reale deri në 80 për qind”.

Ministrja e arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska tha se cilësia e ajrit është jashtëzakonisht e rëndësishme kudo, por sidomos në shkolla aty ku fëmijët nxënë dijen.

VESNA JANEVSKA, MINISTRE E ARSIMIT

Cilësia e ajrit është jashtëzakonisht e rëndësishme kudo, por sidomos në shkolla sepse ndikon në zhvillimin psikofizik të nxënësve, në aftësinë e tyre për të menduar, për t’u përqëndruar, për të qenë krijues, por sigurisht edhe tek mësuesit. Shteti duhet të punojë në përmirësimin e kushteve të jetesës dhe punës edhe në shkolla”.

Zëvendësministri për politikë sociale, demografi dhe rini, Gjoko Velkovski tha se ministria nuk ndanë mjete të dedikuara për pastrim të ajrit në kopshte por kopshtet mund ti blejnë vetë nga mjetet që ministria I ndanë për ato si bllok dotacione.

GJOKO VELKOVSKI, ZËVENDËSMINISTËR PËR POLITIKË SOCIALE, DEMOGRAFI DHE RINI

Natyrisht, ne i ndajmë fondet si ministri për të gjitha shpenzimet materiale që u nevojiten kopshteve si bllok dotacione, të cilat i hedhim në nivel vendor tek vetë personat juridikë dhe me ato mjete mund të blejnë vetë pastrues të ajrit. Ekziston mundësia që kjo të bëhet përmes vetë komunave, por si ministri do të shqyrtojmë mundësinë që kjo çështje të mund të zgjidhet më drejtpërdrejt”.

Ministri i shëndetësisë Arben Taravari tha se ndotja e ajrit është problem i madh në vendin tonë, në të gjitha qytetet, e veçanërisht në Shkup. Ai tha se Ministria e Shëndetësisë është duke u munduar të gjejë zgjidhje dhe se kanë edhe një projekt që është dorëzuar në Qeveri dhe duhet të realizohet vitin e ardhshëm, në të cilin bëhet fjalë për 10 spitale ku ngrohja do të zëvendësohet nga ajo standarde me mazut dhe naftë me metoda të ngrohjes që nuk do të shkaktojnë ndotje të ajrit.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING