(VIDEO) Gjykata Kushtetuese ka formuar pesë lëndë për shkak të dokumenteve personale

(VIDEO) Gjykata Kushtetuese ka formuar pesë lëndë për shkak të dokumenteve personale

Kryetarja e gjykatës kushtetuese, Dobrilla Kacarska, njoftoi se gjykata kushtetuese ka formuar pesë lëndë për shkak të dokumenteve personale. Kacarska tha se qytetarët janë ankuar se kanë dokumente të vlefshme, por nuk mund t’i përdorin për shkak të ndryshimeve në ligj. Të gjitha rastet janë bërë publike, por nuk dihet se kur do të jenë në seancë për shqyrtim, theksoi ajo.

DOBRILLA KACARSKA,KRYETARE E GJYKATËS KUSHTETUESE

“Unë nuk duhet ta them qëndrimin tim personal si juriste. Gjykata vendos edhe për diskriminimin, por vetë Kushtetuta sqaron se për çfarë lloj diskriminimi mund të punojmë. Në gjykatë janë formuar pesë lëndë, të cilat u janë dorëzuar gjyqtarëve dhe këshilltarëve të gjykatës. Nuk mund të përgjigjem se kur do të jenë ato lëndë në seancë, kjo varet nga ekipi. Unë nuk ndërhyj në punën e gjyqtarëve. Bëhet fjalë për pasaporta, patentë shoferi dhe letërnjoftime”.

Sipas saj, gjykata kushtetuese nuk mund të ndihmojë qytetarët që besojnë se u mohohet liria e lëvizjes. “Qytetarët duhet ta dinë se liria e lëvizjes nuk është kompetencë e Gjykatës Kushtetuese. Këtu do të theksoja se politikanët do ta kuptojnë pse unë isha mbështetëse e fortë  e një procesi kushtetues për dy vjet e gjysmë për “padinë kushtetuese”. Nëse do ta kishim këtë institut, qytetarët do t’u drejtoheshin atyre për çdo kërkesë, për çdo liri dhe të drejtë. Shpresoj se tani do ta kuptojnë, pa më kritikuar, pse kërkoj ndryshim të Kushtetutës”, tha Kacarska.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING