(VIDEO) “Gjaku i pistë”, Zhan Mitrev kërkon nga ambasadat ta monitorojnë procesin hetimor

Në një letër drejtuar disa ambasadave të huaja dhe Delegacionit të Bashkimit Evropian në vend, mjeku Zhan Mitrev, i cili është edhe pronar i klinikës me të njëjtin emër, u kërkon atyre që të kenë më shumë vëmendje gjatë procedurës hetimore që po zhvillohet kundër tij dhe Klinikës në lidhje me akuzën për mashtrim të cilën e ka iniciuar Prokuroria Themelore Publike, Shkup.

Në letrën dërguar ambasadave të SHBA-së, Francës, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Holandës dhe Delegacionit të BE-së në vend, Mitrev, përveçse i informoi ato për rrjedhën e hetimeve, kërkon edhe monitorim më të madh për shkak të  qasjes joserioze dhe sipërfaqësore të procedurës.

ZHAN MITREV

“Po ju drejtohem me qëllimin për të ju informuar dhe njohur me rastin që besoj se mund të lërë gjurmë të thella në jetën shoqërore, në perceptimin e profesionit të mjekut dhe një rast që pretendon se fut praktikë të keqe në sistemin e drejtësisë në vend”.

Në letrën dërguar ambasadave, Mitrev ka theksuar se gjatë periudhës së pandemisë së Covid-19 për të cilën bëhet fjalë në aktakuzë, klinika ka pasur përqindjen më të lartë të trajtimeve të suksesshme të personave të infektuar me Covid-19 dhe se ka pasur një përqindje më të ulët të shkallës së vdekshmërisë në raport me vdekshmërinë nga Covidi të pacientëve në spitale të tjera.

ZHAN MITREV

“Pavarësisht këtyre rezultateve, pavarësisht punës së përkushtuar të të gjithë ekipit, sot Spitali Klinik Zhan Mitrev, emri dhe puna ime janë objekt i një hetimi që kemi dyshime të arsyeshme se po kryhet sipërfaqësisht pa dalë në fund. Kjo qasje jo vetëm që shpërfill shumë elementë që janë fakte në vetvete, por edhe pengon të vërtetohet  e vërteta faktike”.

Mitrev shpreson se qasja e hetimeve ndaj tij, të cilën e konsideron joserioze dhe sipërfaqësore, do t’i inkurajojë ambasadat që të iniciojnë monitorim të intensifikuar të këtij rasti.

Ndryshe Prokuroria Themelore Publike  Shkup, më 10 janar të këtij viti, ka ngritur aktakuzë kundër mjekut Zhan Mitrev dhe ndaj klinikës si person juridik  për vepër penale “mashtrim”. Aktakuza erdhi pas publikimit të dokumentarit “Gjaku i pistë” nga IRL.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

 

MARKETING