(VIDEO) Gashi: Në Koçan u dogj një pjesë e pakthyeshme e shpirtit tonë

(VIDEO) Gashi: Në Koçan u dogj një pjesë e pakthyeshme e shpirtit tonë

Me 1 minutë heshtje Kuvendi ka shënuar përvjetorin e parë të tragjedisë së Koçanit, ku si pasojë e zjarrit në diskotekën “Pulse” humbën jetën 63 persona.

Kryeparlamentari Afrim Gashi tha se edhe pas një viti është vështirë të gjendjen fjalë që e përshkruajnë këtë ngjarje. Për kryeparlamentarin, sado të zgjedhura, fjalët janë pafuqishme për të shprehur atë që njerëzit e ndjejnë nga brenda.

Sipas Gashit, drejtësia në këtë rast është shumë e rëndësishme dhe domethënëse, ai kërkoi nga institucionet që të punojnë me përkushtim dhe profesionalizëm.

AFRIM GASHI – KRYEPARLAMENTAR 

Ka mëngjese të cilët ngjallin shpresë dhe forcë, por ka edhe mëngjese të kobshme që e shuajnë shpresën dhe japin vetëm dhimbje. Mëngjes i tillë zbardhi më 16 mars vitin e kaluar, pas ngjarjes tragjike në Koçan. Një poet thotë, ka fjalë që qajnë, e lot që flasin. Lotët e prindërve, nënave dhe familjarëve po edhe qytetarëve, flasin shumë më zëshëm se çdo deklaratë që mund të jepet cilido politikan. Përgjegjësia institucionale është me e madhe se sa ne e vlerësojmë dhe drejtësia është më e rëndësishme se sa ne mendojmë. Prandaj, thelbësore është që institucionet, prokuroria dhe gjykatat të punojnë në këtë proces me përkushtim dhe profesionalizëm.

Në përkujtim të 63 jetëve të humbur do të organizohen një numër i madh i aktiviteteve që do të zgjasint tre ditë.

Kësisoj, më 14 mars do të fillojë me një shërbesë në kishën “Shën Gjergji i Madh”, dhe do të vazhdojë në Varrezat e Qytetit me një shërbesë përkujtimore për viktimat.

Me 15 mars janë planifikuar disa aktivitete sportive dhe kulturore. Një garë rekreative dhe një turne me biçikleta do të mbahet në itinerarin Shtip – Koçan.

Në të njëjtën kohë, do të fillojë marshimi i parë përkujtimor alpinist “Ivona Antova dhe 63 engjëj” në itinerarin Ponikva.

Po më 15 mars, në sallën sportive në Shkollën e Mesme të Koçanit do të mbahet një turne basketbolli midis të lënduarve në tragjedi.

Më 16 mars do të mbahet përkujtimi qendror i tragjedisë së Koçanit, dhe ngjarja “Drita që Mbetet” do të mbahet para ndërtesës së Pulse-s.

Aktivitetet do të përmbyllen me aktivitete simbolike “63 Karrige të Bardha – 63 Jetë” që do të instalohen në Parkun e Revolucionit në Koçan më 16 mars dhe me muralin “Muri i Kujtimit”, kushtuar viktimave.

Mevludin Imeri /SHENJA/

MARKETING