(VIDEO) Fotografia e Presidentes para flamurit bullgar, RMV notë proteste Bullgarisë

(VIDEO) Fotografia e Presidentes para flamurit bullgar, RMV notë proteste Bullgarisë

Ambasadorit bullgar në Maqedoninë e Veriut, do t’i dorëzohet një demarsh lidhur me mosvendosjen e flamurit maqedonas gjatë vizitës së presidentes Gordana Siljanovska-Davkova në Sofje gjatë takimit me presidentin bullgar Rumen Radev, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski. Ai tha se është e e rëndësishme që Europa dhe bota të shohin në skenë të hapur se cilat janë synimet reale të lidershipit në Sofje.

HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR

Në të kaluarën kur po poshtërohej dhe shitej dinjiteti maqedonas, atëherë ata heshtën, kurrizin e kishin përthyer dhe josheshin nga ata që na poshtëruan dhe na shkelën. Tani gjërat po zgjidhen në këtë mënyrë diplomatike dhe po dërgohen nota proteste. Nuk do të kemi më një politikë ndërkombëtare apo diplomatike me kurriz të lakuar. Atëherë kur të kalohet vija e kuqe, atëherë duhet reaguar. Nëse nuk reagoni, ky përjashtim do të bëhet më tej praktikë. Ajo që është më e rëndësishme për mua është që Europa dhe bota të shohin në një skenë të hapur se cilat janë synimet reale të lidershipit në Sofje”.

Presidenti bullgar Rumen Radev për mediumet bullgare tha se problemi i Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk është me Bullgarinë, por të respektojnë kornizën negociuese të pranuar si konkluzion të Këshillit Europian nga të gjitha vendet anëtare. Radev tha se në këtë takim nuk ka pasur provokime .

RUMEN RADEV, PRESIDENT I BULLGARISË

Pres që kjo dëshirë e shprehur për hapje, për konstruktivizëm, të merret përsipër nga qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Por le të jetë e qartë, kjo nuk ishte një vizitë shtetërore dhe as vizitë pune. Dhe shpresoj se në një të ardhme të afërt presidentja e RMV-së do të bëjë një vizitë shtetërore, e cila së bashku me të gjitha ceremonitë zyrtare sipas protokollit do të kontribuojë në zhvillimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve tona”.

Ministria e Punëve të Jashtme e RMV-së ka thirur ambasadorin bullgar në vend, Zheljasko Radukov, për bisedë në ambientet e Ministrisë, ku do t’i kërkohet të shpjegojë pse presidenti bullgar Rumen Radev e ftoi Presidenten Gordana Siljanovska Davkova të bëjë foto para flamujve bullgarë, ndërsa flamuri maqedonas nuk ishte vendosur. Ministri i punëve të jashtme Timço Mucunski sot në takim me gazetarët njoftoi se ambasadori bullgar do të pritet nga drejtori i Drejtorisë për Iniciativa Rajonale .

Dje nga kabineti i presidentes Siljanovska Davkova thanë se do të kërkojnë shpjegim nga pala bullgare, sepse siç thonë ata, edhe pse nuk ishte planifikuar të fotografoheshin në hapësirë ​​të mbyllur, presidenti Radev e ftoi presidenten që të fotografohen së bashku para flamurit bullgar.

Nga LSDM-ja opozitare vizitën e Siljanovskës në Bullgari e vlerësuan si poshtëruese. Para disa ditëve në Bullgari u zhvillua takim ndërmjet presidentes së Maqedonisë së Veriut Gordana Siljanovska Davkova dhe presidentit të Bullgarisë Rumen Radev. Në takimin e 2 homologëve nuk ishte vendosur flamuri i RMV-së.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING