(VIDEO) “Fluturonte”: me 231 km/h, Safe City regjistron shkelje ekstreme
Gjatë periudhës testuese të sistemit të ri të video-mbikëqyrjes “Qytet i Sigurt” është regjistruar deri tani shkelja më ekstreme, një drejtues automjeti që lëvizte me shpejtësi të pabesueshme prej 231 kilometrash në orë në qarkoren e Shkupit. Rasti ka ndodhur më 1 dhjetor dhe informacioni u konfirmua zyrtarisht nga shefja e Sektorit për Punë të Komunikacionit në MPB, Maja Arsovska-Manov, dhe këshilltari shtetëror në kabinetin e ministrit, Vladimir Velkovski.
“Ka drejtues që i shohin rrugët si pista garash. Kjo tregon edhe një herë se na nevojitet një sistem që funksionon 24 orë, jo vetëm kur ka patrullë në terren. Gabimi me një shpejtësi të tillë zakonisht përfundon tragjikisht, jo vetëm me gjobë”, ka thënë Velkovski.
MPB njoftoi se ditën e dytë të testimit të sistemit është vërejtur rënie e ndjeshme e shkeljeve: nga 110 mijë të regjistruara më 1 dhjetor, numri është ulur në 50.652 shkelje brenda 24 orëve.
Shpejtësia më e lartë e regjistruar ditën e dytë ka qenë 209 kilometra në orë, ndërsa shpejtësia më e ulët për të cilën është lëshuar gjobë ka qenë 51 kilometra në orë. Më shpesh është vozitur me shpejtësi të lartë në dalje të Shkupit drejt Tetovës dhe në bulevardin “Nikola Karev”.
Sa i përket kalimit në dritë të kuqe, numri më i madh i shkeljeve është regjistruar në kryqëzimin mes rrugëve “Cvetan Dimov” dhe “John Kennedy”. /SHENJA/

