(VIDEO) Filipçe: Qeveria të kërkojë ekstradimin e Gruevskit
Zgjedhjet e fundit në Hungari, ku fitues doli Petar Maxhar me çka i dha fund qeverisë 16 vjeçare të ish kryeminsitrit, Viktor Orban, ka trazuar skenën politike në Maqedoninë e Veriut.
Lideri i opozitës maqedonase, Venko Filipçe, thotë se ish kryeminstri i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski, i cili është arratisur në Hungari, nga ku është strehuar për vite me radhë, duhet të kthehet dhe të përgjigjet para drejtësisë. Ai e përshëndeti mesazhin nga pushteti i ri hungarez se do t’i dorëzojë ata që i ikin drejtësisë dhe fshihen në territorin e saj. Filipçe kërkoi nga qeveria të përgjigjet nëse ka dorëzuar kërkesë për ekstradimin e Nikolla Gruevskit dhe nëse jo, pse nuk e ka bërë këtë.
VENKO FILIPÇE, KRYETAR I LSDM-SË
“Duke qenë se lëvizja ZNAM tashmë e ka uruar fitoren e kryeministrit të ri hungarez, shtrojmë pyetjen: a ka paraqitur kjo qeveri e VMRO-së dhe ZNAM-it kërkesë për ekstradimin e Nikolla Gruevskit? Nëse jo, pse jo? Dhe nëse nuk ka, a do të dorëzojnë sot, pas deklaratës së kryeministrit të ri hungarez, një kërkesë për ekstradimin e tij në vend? Drejtësia, sado që vonon, në fund gjithmonë arrin. Ka ardhur koha për drejtësi. Ka ardhur koha për Evropën tek ne dhe në gjithë rajonin”.
Për këtë çështje ka folur edhe kryminsitri Hristijan Mickoski. I pyetur nëse ka mundësi që të kthehet ish-kryeministri Nikolla Gruevski në vend, Mickoski tha se kjo çështje u takon autoriteteve hungareze, por, nëse Gruevski shfaqet në Maqedoni, Mickoski tha se i njëjti do të dërgohet për vuajtje të dënimit me burg, pasi ndaj tij ka aktvendim gjyqësor në fuqi.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Nëse Nikolla Gruevski kthehet në Maqedoni, ai ka aktvendim gjyqësor në fuqi, dhe ai menjëherë pasi të paraqitet në Maqedoni, normalisht, organet e rendit do ta sigurojnë dhe do ta dërgojnë për vuajtje të dënimit me burg që është sipas aktvendimit në fuqi. Ne jemi qeveri për të vilën të gjitha ligjet vlejnë dhe qeveri që duhet t’i respektojë ligjet dhe institucionet në shtet. Normalisht, secili person ka të drejtë të shfrytëzojë institucionet, të drejtat e tyre, të parashtrojë ankesa, e kështu me radhë. Por ne si qeveri kemi aktvendim në fuqi, me të cilën, personi për të cilin po flisni tani, dërgohet për vuajtje të dënimit me burg”.
Në të njejtën vijë qendron edhe njëri ndër liderët e VLEN-it, Izet Mexhiti, i cili ironizoi situatën, duke deklaruar se më shumti po mërzitën ata që dikur e ndihmuan të arratisej Nikolla Gruevski.
IZET MEXHITI, KRYETAR I ÇAIRIT
“Mendoj se më tepër është çështje që mërziten ata që e kanë ndihmuar për të ik Gruevski prej Maqedonie në Hungari , tash sërish ata le t’ia bajnë dertin se çfarë do të bëjnë me Gruevskin , se a do të shkojnë ta ndihmojnë edhe prej në Hungari, nuk është derti jonë. …Nuk e besojë, do shohim, por edhe nëse bëhet ai duhet të përgjigjet para organeve të drejtësisë dhe të merr dënimin e merituar”.
Ndryshe, kryeministri i ri hungarez, Petar Maxhar tha se pushteti i ri hungarez nuk do të ofrojë më strehim për njerëzit që i ikin drejtësisë. Ai theksoi se Hungaria do t’i ekstradojë ata që fshihen në territorin e saj, ndërsa e përmendi drejtpërdrejt edhe emrin e Nikolla Gruevskit, i cili është arratisur nga Maqedonia e Veriut nga viti 2018.
Samir Mustafa /SHENJA/

