(VIDEO) Filipçe paralajmëron ndryshime në parti pas zgjedhjeve

(VIDEO) Filipçe paralajmëron ndryshime në parti pas zgjedhjeve

Pas disfatës së thellë që partia pësoi në rrethin e parë të zgjedhjeve lokale, kreu i LSDM-së, Venko Filipçe paralajmëroi sot, ndryshime politike dhe kadrovike në udhëheqësi. Ai duke dhënë para gazetarëve një analizë për rezultatet dhe ndryshimet që do të vijojnë pas zgjedhjeve, tha se, këto zgjedhje janë një tregues se si duhet të veprojnë në periudhën e ardhshme. Sepse, siç tha, është e nevojshme që në komunat ku kanë pasur rezultate të dobëta, të vazhdojnë me aktivitete intensive.

VENKO FILIPÇE, KRYETAR I LSDM-SË

“Vitin e kaluar, e gjeta partinë në një gjendje vërtet të vështirë dhe të keqe, përkatësisht pas një humbjeje me një diferencë prej 300,000 votash. Dhe gjatë këtij një viti e gjysmë, kam punuar intensivisht në të gjitha organizatat komunale, me mijëra anëtarë tanë – kontakte të drejtpërdrejta, takime dhe takime. Tani këto zgjedhje janë një tregues se si të pozicionohemi dhe si të funksionojmë në periudhën e ardhshme. Është e qartë se është e nevojshme, veçanërisht në ato komuna ku nuk arritëm rezultatin e dëshiruar, të vazhdojmë me punë intensive”.

Ai theksoi se ka një numër të mirë komunash ku kryetarët e LSDM-së janë zgjedhur tashmë, si dhe 16-17 komuna shtesë ku partia po hyn në raundin e dytë. Atje, siç theksoi ai, është arritur një rritje e konsiderueshme e numrit të votave krahasuar me zgjedhjet e vitit të kaluar.

VENKO FILIPÇE, KRYETAR I LSDM-SË

“Këto janë organizata komunale në të cilat numri i votave, në krahasim me zgjedhjet e vitit të kaluar, është rritur ndjeshëm diku rreth 40-50%, dhe në disa vende votat madje janë dyfishuar, që do të thotë se puna ka pasur efekt. Nga ana tjetër, ka komuna ku kjo nuk ka ndodhur – këtu po mendoj për komunat e Shkupit”.

Në rrethin e parë të zgjedhjeve lokale të 19 tetorit u zgjodhën 44 kryetarë komunash. Tek partitë maqedonase, VMRO-DPMNE ka fituar 33 kryetarë komunash që në rrethin e parë ndërsa LSDM 3. Në 32 komuna dhe në Qytetin e Shkupit do të ketë rreth të dytë.

Teuta Buçi /SHENJA/

MARKETING