(VIDEO) Filipçe: Nuk u dorëzohemi atyre që fshehtas punojnë kundër LSDM-së
Kongresi i sotëm është një pikë kthese në veprimtarinë opozitare të LSDM-së, një fillim i ri, një luftë e re, dhe një shpresë e re që ta kthejmë partinë aty ku i takon, në një rrugë fituese, tha kryetari I LSDM-së Venko Filipçe në kongresin e sotëm të LSDM-së. Filipçe thotë nuk do tu dorëzohet atyre që fshehtas punojnë kundër LSDM-së, atyre që përhapin disfatizëm dhe paralizojnë aktivitetet e opozitës, por përkundrazi LSDM do të kthehet më e fortë.
VENKO FILIPÇE, KRYETAR I LSDM-SË
“Kjo parti nuk është pronë personale e askujt. As e Brankos, as e Zaevit, Vllados, Radmilës, Dimitarit,e më së paku e imja. Secili prej tyre ndër vite mbajti peshën e kohës dhe të vendimeve, por edhe krenarinë e partisë. Prandaj LSDM nuk guxon dhe nuk do të harrojë askënd. Si drejtues do ta jap gjithmonë dorën, do të hap derën për këdo që mendon sinqerisht mirë për partinë. Do të bashkëpunoj me të gjithë për të kundërshtuar politikat e këqija të qeverisë. Prandaj, për LSDM-në nuk ka alternativë tjetër veçse të kalojë nëpër këto rrjete opozitare, të ngrihet dhe të kthehet edhe më e fuqishme”.
Filipçe beson se nuk duhet të kishin lejuar që pothuajse e gjithë energjia e tyre të përqendrohej në integrimet evropiane, por edhe që ato të ishin një justifikim për mosrealizimin e një pjese të programit dhe të premtimeve që u bënë qytetarëve. Ai thotë se ata lejuan që një nga çështjet më të ndjeshme historike për popullin maqedonas, mosmarrëveshja me Bullgarinë, të lërë në hije të gjitha të mirat dhe reformat që bënë.
VENKO FILIPÇE, KRYETAR I LSDM-SË
“Nuk duhet të anashkalojmë përshtypjen e publikut se kemi qenë servil ndaj partnerëve të koalicionit. Ata kanë abuzuar me kapacitetin tonë demokratik për qeverisje dhe përkushtimin për gjithëpërfshirje të vërtetë në punën në të gjitha nivelet e qeverisjes. LSDM kurrë më nuk duhet të jetë në pozitë të nënshtruar apo të mbajë koalicione politike në dëm të rejtingut të vet. Ne gjithashtu nuk jemi përballur plotësisht me krimin dhe korrupsionin e paraardhësve tanë. Fatkeqësisht, disa zyrtarë dhe në qeveritë tona pranuan me kënaqësi shumë zakone të këqija që regjimi na la si trashëgimi”.
Filipçe tha se lidershipi i ri i LSDM-së do të përballet me një përgjegjësi të madhe, të demaskojë gënjeshtrat, populizmin dhe politikat e rrezikshme të pushtetit aktual.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/