(VIDEO) Filipçe: Mickoski iu shmang pyetjeve sepse nuk ka përgjigje
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, duke komentuar situatën e krijuar dje në Kuvend gjatë seancës për pyetje deputetësh, akuzoi kryeministrin Hristijan Mickoski se iu shmang pyetjeve parlamentare, sepse nuk ka përgjigje. Gjatë brifingut të sotëm me gazetarët, ai tha se dje në Kuvend, u zhvillua një bllokadë e orkestruar me manovra që ua pamundësoi deputetëve të opozitës të parashtrojnë pyetjet e planifikuara parlamentare.
Venko Filipçe, LSDM
“Në vend që t’u përgjigjej pyetjeve të opozitës, pamë një bllokadë të orkestruar. Vesna Bendevska e inskenoi problemin. Një pauzë, pastaj edhe një tjetër. Është e qartë se nuk kanë përgjigje për pyetjet që ne parashtrojmë. Fakt është se Rregullorja e Kuvendit u shkel. Një deputete nuk kishte marrë përgjigje brenda afatit prej 20 ditësh, prandaj vendosi ta bllokojë foltoren për ta marrë përgjigjen dhe ajo e mori atë. Kërkesa e saj ishte logjike dhe ajo i shfrytëzoi mekanizmat që kishte në dispozicion. Pas kësaj, deputetja mori përgjigje me shkrim, ndërsa më pas Vesna Bendevska ndërhyri dhe inskenoi problemin”, tha Filipçe.
Ai theksoi se kjo është vetëm një tjetër dëshmi e mosrespektimit të vazhdueshëm të Kuvendit dhe rolit të tij kushtetues. Sipas tij, dëmin më të madh nga një sjellje e tillë nuk e pëson opozita, por qytetarët, të cilët mbeten pa përgjigje për pyetjet që përfaqësuesit e tyre të zgjedhur parashtrojnë në Kuvend.
Kujtojmë se, dje deputetja Ilire Dauti dhe kryetari i partisë Lidhja Shqiptare Ziadin Sela e bllokuan foltoren e Kuvendit, në seancën për pyetje deputetësh përshkak se kryeministri nuk ju kishte përgjigjur pyetjes së deputetes Dauti, për Ligjin për Përfaqësim të Drejtë. Këtë pyetje ajo i’a kishte parashtruar kryeministrit që në seancën më 26 qershor, prandaj ajo tha se kryeministri e ka shkelur afatin ligjor prej 20 ditësh për të ju përgjigjur. Ndërsa përveç kësaj, ai refuzoi që ti përgjigjet edhe dje, duke e injoruar dhe duke vazhduar me pyetjen që i’a parashtroi lideri i LSDM-së Venko Filipçe. /SHENJA/

