(VIDEO) Filipçe: LSDM do ta bllokoj Kodin Zgjedhor sepse hap derën për vjedhje votash
Kryetari i LSDM-së opozitare, Venko Filipçe, ka deklaruar se partia e tij do ta bllokojë propozim-Kodin Zgjedhor, duke e cilësuar si dokument që sipas tij, hap mundësi për manipulim të procesit zgjedhor dhe nuk garanton standarde demokratike. Ai theksoi se ndryshimet e propozuara janë të papranueshme dhe se qytetarët meritojnë zgjedhje të lira dhe të drejta.
VENKO FILIPÇE, KRYETAR I LSDM-SË
“Kuvendi nuk guxon ta miratojë kësilloj ligji. Ne do ta bllokojmë, sepse qytetarët meritojnë të kenë një proces zgjedhor të drejtë dhe demokratik, e jo një të tillë të kontrolluar siç Hristijan Mickoski po tenton ta vendosë sipas shembullit të mentorit të tij, dukshëm idhullit të tij, Nikolla Gruevski. Ne, këtë ligj në Kuvend do ta bllokojmë.”
Filipçe gjithashtu ngriti shqetësime për propozimin e votimit elektronik për diasporën, duke paralajmëruar se ai mund të krijojë hapësirë për keqpërdorime dhe mungesë kontrolli në procesin zgjedhor.
VENKO FILIPÇE, KRYETAR I LSDM-SË
“Po propozohet votimi elektronik i diasporës. Kjo nënkupton pa asnjë verifikim të personave që ne nuk i njohim, mërgimtarët tanë se ku ndodhen, kush do t’ua verifikojë identitetin, thjesht para kompjuterit do të mund të votojnë dhe kjo do të ketë të njëjtën vlerë si votimi në vendlindje. Kjo hap rrezik për votim masiv dhe të pakontrolluar, ashtu siç ka ndodhur gjatë qeverive të Nikolla Gruevskit. Ky është një sistem shumë i rrezikshëm, i cili hap derën për manipulim zgjedhor dhe vjedhje nga kjo qeveri”.
LSDM e konsideron propozim-Kodin Zgjedhor si hap prapa për procesin demokratik në vend, duke pretenduar se ai mund të dobësojë kontrollin institucional mbi zgjedhjet dhe të rrisë hapësirën për keqpërdorime. Për këtë arsye, partia paralajmëron se do ta kundërshtojë dhe bllokojë miratimin e tij në Kuvend.
Samir Mustafa /SHENJA/

