(VIDEO) Filipçe: Çdo fëmijë që lind futet në borxh për 6 mijë euro

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, lëshoi paralajmërime serioze për mungesën e transparencës në Marrëveshjen për borxhin e ri prej 6 miliardë eurosh me Britaninë e Madhe, të cilën po e zbaton qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE. Ai theksoi se me borxhin e ri, “çdo i porsalindur në 25 vitet e ardhshme menjëherë pas lindjes do të ketë borxh 6,000 euro”. Për më tepër, sipas analizave të LSDM-së, borxhi publik do të tejkalojë 115% të Produktit të brendshëm bruto (PBB) – që sipas tyre, është më keq se kriza greke e më shumë se një dekade më parë. Ndërkaq, ai hapi edhe temën e pjesës së mundshme politike të marrëveshjes – migrimin, si dhe reagoi edhe ndaj pretendimeve të paqarta të Ministrit të Financave.
MARKETING
Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së
“Është e qartë se këto kontrata do të jenë jotransparente dhe konfidenciale. Ministri i Financave thotë se do të zbatohet një procedurë në përputhje me Ligjin e Prokurimit Publik, por me kompani të huaja. Ne kemi bërë një kontroll – Ligji i Prokurimit Publik nuk do të zbatohet. Mediat serioze nga Mbretëria e Bashkuar po raportojnë se vendet e Ballkanit, përfshirë Maqedoninë, do të bëhen qendra për pranimin e refugjatëve të padëshiruar në Mbretërinë e Bashkuar. Dhe Kryeministri – hesht, nuk ka qëndrim”.
Ndërkohë, ka reaguar nga anëtari I Komitetit Qendror të VMRO-DPMNE-së, Valentin Manasievski, i cili tha se Filipçe duhet të rrijë i qetë në këtë ditë historike për Maqedoninë e Veriut.
Valentin Manasievski, anëtar i KQ të VMRO-DPMNE-së
“Nëse Filipçe do të ishte në pushtet, ose ndoshta mentori i tij Zaev, jo vetëm që nuk do të kishim pasur një marrëveshje strategjike, por edhe nëse do ta kishim, ajo do të ishte e grabitur, kriminale dhe e korruptuar. Tenderët do të ndaheshin midis vëllezërve dhe kushërinjve, midis koalicioneve partiake, buxhetet do të dëmtoheshin dhe populli do të paguante të njëjtën shumë. Prandaj, Filipçe, sot të pyesim përsëri, si arrite të kesh aksione në një linjë ajrore indiane, si more një vizë të artë për në Dubai dhe a është vendimi për Spitalin Modular i drejtë dhe realist?”
Tutje ai tha se Filipçe është thjesht një gënjeshtar dhe manipulues i zakonshëm, ndaj dhe duhet të mbetet në të kaluarën e errët të skenës politike maqedonase. Sipas Manasievskit Filipçe është sinonim i paaftësisë, krimit dhe korrupsionit.
Anida Murati /SHENJA/