(VIDEO) Fidan përfundon vizitën në Shkup – në fokus ishin takimet vëllazërore me sektorin civil

(VIDEO) Fidan përfundon vizitën në Shkup – në fokus ishin takimet vëllazërore me sektorin civil

Kryediplomati turk, Hakan Fidan, dje ka realizuar një sërë takimesh me krerët shtetëror, afaristët dhe përfaqësuesit e sektorit civil në vend. Agjenda intensive e Fidanit, filloi me takimet dypalëshe që realizoi me përfaqësuesit shtetëror, ku pas takimit me homologun e tij, Timço Mucunski, delegacioni turk realizoi takim edhe me kryeparlamentarin Gashi, kryeministrin e vendit, Hristian Mickoski, përfaqësuesit e koalicionit shqiptar të pushtetit – VLEN, si dhe me përfaqësuesit politik të komunitetit turk. Ndërkaq, sipas burimeve brenda Bashkimit Demokratik për Integrim, thuhet që dje ka pasur takim dypalësh mes kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti dhe kryediplomatin turk, Hakan Fidan, ku larg syve të opinionit publik, janë diskutuar tema të rëndësishme strategjike për Ballkanin dhe Turqinë.

Mesazhi kryesor që përcolli Fidan në këto takime politike, padyshim që ishte lufta e pakompromis që duhet t’i bëhet organizatës FETO, si një kërcënim serioz për çdo vend.

Pas përfundimit të takimeve me krerët shtetëror dhe afaristët turk, Fidan në agjendën e takimeve të tij, kishte paraparë që të realizon takime miqësore edhe me përfaqësuesit e sektorit civil. Kështu që, kryediplomati turk, takimin me përfaqësuesit e sektorit civil, e nisi nga vizita e tij miqësore me delegacionin e Fondacionit për Civilizim Islam – FOCIC në Shkup, ku u prit nga zv.kryetari i Fondacionit, Adnan Ismaili, anëtarët e bordit, Sylejman Baki dhe Taxhudin Shabani, si dhe nga anëtarët e bordit të OKH “Merhamet”, të kryesuar nga kryetari, Ridvan Xhaferi. Gjatë këtij takimi miqësor, Fidan për së afërmi u informua në lidhje me finalizimin e projektit të madh të ndërtesave të FOCIC-it.

Gjithashtu, shefi i diplomacisë turke, gjatë vizitës së tij që ia bëri Çarshisë së Shkupit, takimet vëllazërore të tij, i vazhdoi me vizitën që ua bëri shoqatave turke “Ensar” dhe “Kopru”. Gjatë këtyre takimeve, nikoqirët Sylejman Baki dhe Husrev Emin, ministrin turk e njoftuan për së afërmi me projektet kulturore, humanitare dhe sociale që po realizohen nga këto dy shoqata gjatë këtyre dy dekadave të fundit në vendin tonë. Në fjalën përshëndetëse para studentëve të shoqatave të sipërpërmendura, Hakan Fidan u shpreh se “kjo është rinia e së ardhmes, ne gjithë së bashku, krah për krah, do i ndihmojmë njëri-tjetrit”.

Ndryshe, vizita e djeshme e ministrit të Jashtëm turk në Shkup, ka ngjallur jehonë dhe emocione të papërshkruara tek qytetarët e vendit tonë.

Pas përfundimit të vizitës zyrtare, kryediplomati turk, ka udhëtuar për në Republikën e Kosovës, ku realizoi takime dypalëshe me presidenten e Kosovës, Vjollca Osmani, ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schëarz, kryeministrin Albin Kurti dhe kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim efendi Tërnava. /SHENJA/

 

MARKETING