(VIDEO) Edhe sot katër zjarre aktive në territorin e RMV-së

Në territorin e Republikës së Maqedonisë, deri në orën 13:00 janë aktive gjithsej katër zjarre në hapësira të hapura, ndërsa një zjarr është lokalizuar, njoftoi Qendra për Menaxhim me Kriza. Zjarre aktive ka në komunat Prilep, Makedonski Brod dhe Çashkë.
Në Prilep, zjarret janë regjistruar në fshatin Beshisht, ku po digjet një pyll i përzier, si dhe pranë varrezave të qytetit, ku digjet vegjetacion i ulët. Në Makedonski Brod, zjarri është aktiv në fshatin Çreshnevo, në një pyll të degraduar me lisa dhe shkurre. Në komunën e Çashkës, zjarri është në majën e Selanikut, pranë burimeve të Babunës dhe në vendin e quajtur Babina Dupka, ku ka zjarr pyjor pa flakë aktive, por me prani të tymit në terren shkëmbor.
Zjarri në deponinë e Dellçevës është lokalizuar. Autoritetet u bëjnë apel qytetarëve të respektojnë rekomandimet për kujdes dhe të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë që mund të çojë në zjarre të reja.
Ndërkaq, zjarri që shpërtheu të shtunën në mbrëmje në fabrikën e municionit dhe armëve “Suvenir” në Makedonski Brod është shuar të dielën në mëngjes. Zjarri kishte përfshirë një sallë magazinimi ku ruheshin kimikate, por për fat të mirë u lokalizua dhe u shua shpejt.
Qendra për Menaxhim me Kriza njoftoi se në asnjë moment nuk ka pasur rrezik serioz që zjarri të përhapej në pjesët e tjera të fabrikës, gjë që ndihmoi në shmangien e një katastrofe më të madhe me pasoja të rrezikshme. /SHENJA/