(VIDEO) Edhe një viktimë nga gripi, rritet numri i të hospitalizuarve

(VIDEO) Edhe një viktimë nga gripi, rritet numri i të hospitalizuarve

Një pacient, i moshës 69-vjeçare, ka ndërruar jetë në orët e hershme të mëngjesit në repartin e kujdesit intensiv të Klinikës për Sëmundje Infektive në Shkup, pasi tek ai ishte konfirmuar influenca A.

Drejtori i Klinikës, Fadil Cana, informoi se pacienti ishte pranuar në gjendje jashtëzakonisht të rëndë shëndetësore, me bronkopneumoni të zhvilluar dhe sindromë të distresit respirator akut.

FADIL CANA, DREJTOR I KLINIKËS PËR SËMUNDJE INFEKTIVE

“Pacienti u trajtua menjëherë dhe në kohë nga ekipi mjekësor në repartin e kujdesit intensiv, por pavarësisht të gjitha masave të ndërmarra, për fat të keq ai ndërroi jetë. Duhet theksuar se pacienti kishte disa komorbiditete: sëmundje pulmonare obstruktive kronike, kardiomiopati dhe sëmundje të tjera”.

Simptomat, siç theksoi ai, ishin shfaqur pesë ditë para hospitalizimit dhe për shkak të seriozitetit të gjendjes, pacienti ishte vendosur në ventilim mekanik. Cana tha se pacienti nuk ishte vaksinuar kundër gripit sezonal, edhe pse bënte pjesë në grupin e rrezikut.

Aktualisht, në Klinikën për Sëmundje Infektive janë të shtruar rreth 30 pacientë të prekur nga gripi, prej të cilëve një ndodhet në gjendje më të rëndë klinike. Çdo ditë, në Klinikë kryhen rreth 100 ekzaminime të pacientëve me grip, nga të cilat, siç tha Cana, shumica janë raste ambulatore.

Më herët, në të njëjtën klinikë, kishte ndërruar jetë edhe një grua 75-vjeçare, te e cila gjithashtu ishte konfirmuar influenca A. Edhe ajo kishte disa sëmundje kronike dhe nuk ishte vaksinuar.

Në periudhën nga 5 deri më 11 janar, në vend janë regjistruar 2.322 raste të raportuara të gripit dhe sëmundjeve të ngjashme me gripin, që është 34,6% më shumë krahasuar me javën paraprake, kur ishin 1.725 raste.

Gjatë sezonit 2025/26, numri i përgjithshëm i rasteve të gripit dhe sëmundjeve të ngjashme me gripin arrin në 6.147. Krahasuar me të njëjtën periudhë të sezonit të kaluar (2.408 raste), numri i rasteve të raportuara është rritur 2,6 herë, ndërsa në raport me mesataren e 15 sezoneve të fundit (4.841 raste), vërehet një rritje prej 27%.

Autoritetet shëndetësore u bëjnë apel qytetarëve, veçanërisht personave nga grupet e rrezikut, që në kohë të kontaktojnë mjekun amë. /SHENJA/

MARKETING