(VIDEO) E shkeli Frosina Kulakovin, ngritet aktakuza ndaj Vasil Jovanovit

Prokuroria Themelore Publike Shkup, pas procedurave hetimore të kryera ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarit Vasil Jovanov, i cili më 29 janar goditi me veturë të ndjerën Frosina Kulakova, kanë njoftuar nga prokuroria themelore publike. Nga atje thonë se brenda dy muajve nga ngjarja tragjike, prokurori publik kompetent ka mbledhur të gjitha provat dhe ekspertizat që tregojnë se i pandehuri ka kryer këtë vepër shumë të rëndë kundër sigurisë në komunikacion, e cila parashikon dënim maksimal deri në 20 vjet burg.
PROKURORIA THEMELORE PUBLIKE
“Sipas dëshmive , më 29 janar, 15 minuta para mesnate, i pandehuri, pa pasur as leje drejtimi, drejtonte automjetin e pasagjerëve “Pezho 207” në pronësi të babait të tij. Ai nuk respektoi rregulloret dhe në këtë mënyrë me vetëdije vuri në rrezik jetën e njerëzve. Makinën e ka drejtuar nën efektin e alkoolit, pra me përmbajtje alkooli në gjak 0.80 promilë, por edhe me shpejtësi 91 km/h, që është gati dyfishi i shpejtësisë së lejuar”.
Ata sqarojnë se i akuzuari pasi ka arritur në një vendkalim të shënuar për këmbësorë në kryqëzimin në mes të bulevardit “Aradhat Partizane” dhe rrugës “29 Nëntori”, ka vazhduar lëvizjen përmes semaforit të kuq që sinjalizonte ndalim kalimi dhe me pjesën e përparme të majtë të mjetit që drejtonte, ka goditur trupin e këmbësores Frosina Kulakova, e cila ka qenë duke kaluar semaforin e gjelbërt në vendkalimin e shënuar për këmbësorë.
PROKURORIA THEMELORE PUBLIKE
“Nga forca e goditjes, e dëmtuara është hedhur në ajër dhe ka goditur semaforin e vendosur në vendkalimin e këmbësorëve, duke marrë lëndime të rënda nga të cilat ka ndërruar jetë në vend-ngjarje”.
Nga prokuroria thonë se në rastin konkret ka rrethana që justifikojnë frikën nga rreziku i arratisjes dhe frikën e bazuar se ai do të përsërisë krimin.” Po ashtu, duke marrë parasysh moshën e të pandehurit, seriozitetin dhe peshën e veprës penale dhe fakte të tjera, prokurori publik vlerësoi se ende ekzistojnë bazat ligjore për caktimin e paraburgimit të të pandehurit dhe kërkoi që gjykata të vazhdojë masën e paraburgimit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/