(VIDEO) Durmishi: Masat qeveritare për mbështetjen e qytetarëve vazhdojnë
“Masat qeveritare kanë dhënë efekt dhe në vazhdim natyrisht që do të kemi edhe “Shportën e Ramazanit” dhe “Shportën e Pashkëve”, ka njoftuar ministri I ekonomisë Besar Durmishi. Ai në intervistë për Radio Europa e Lirë tha se nuk pret manipulime me shportën e Vitit të Ri dhe theksoi se e njejta tashmë po respektohet nga tregtarët.
BESAR DURMISHI, MINISTËR I EKONOMISË DHE PUNËS
“Sipas të dhënave që kishim nga shporta e vjeshtës, kur i kishim ngrirë çmimet për 10%, të tregtisë me pakicë dhe shumicë, ajo masë dha rezultatet e saj. Tani kemi një lloj tjetër mase që ofrohet nga vetë shitësit, prodhuesit dhe distributorët. Në datën 5 dhjetor, kur u shpall kjo masë, deri atëherë kemi pasur më shumë se 10 takime dhe kemi mbuluar 675 produkte nga 58 tregtarë. Tani që flasim, ky numër është shtuar edhe më shumë. Ka arritur në 1068 dhe shporta është e hapur deri më 15 janar”.
I pyetur nëse mund të plotësohet kërkesa e sindikatave për rritjen e pagës minimale në 450 euro, Durmishi thotë se sindikatat kërkojnë që të rritet paga minimale, por nga ana tjetër janë edhe punëdhënës që janë kundër çdo rritjeje të vlerën e pagës minimale deri në rritjen e produktivitetit.
BESAR DURMISHI, MINISTËR I EKONOMISË DHE PUNËS
“Ne si Qeveri e kemi hapur si temë në kuadër të Këshillit Ekonomik Social dhe i kemi ata të diskutojnë. Duke qenë se janë dakord për Ligjin dhe rregullat për rritjen e pagës minimale në mars të çdo viti, ne do t’i lëmë të bien dakord. Çdo vendim që marrin punëdhënësit dhe sindikatat, ne jemi në dispozicion të tyre dhe do t’i mbështesim. Duhet të shihen të gjithë palët e interesuara, duhen parë edhe punëdhënësit, në fund të fundit janë ata që krijojnë vendet e punës”.
I pyetur nëse në Këshillin Ekonomik Social po diskutohet edhe për rishikimin e zgjidhjes ligjore për “të dielën jopune”, Durmishi thotë se edhe këtu ka palë kundërshtare por thekosi se duhet të lirohen disa aktivitete që kanë të bëjnë me punën që të punojnë të dielave, por të mos shfuqizohet plotësisht “ditë e diel jopune”.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/