(VIDEO) Dosja Epstein, monstra truri nga Maqedonia në SHBA
Publikimi i dokumenteve të lidhura me financierin e ndjerë amerikan që u akuzua për pedofili, Jeffrey Epstein ka ekspozuar një nga skandalet më të mëdha me përmasa globale të dekadave të fundit, duke zbuluar një rrjet kontaktesh që shtrihej në disa kontinente. Dosja përmban mijëra faqe dokumentesh gjyqësore, email-e dhe dëshmi, ku përmenden figura nga politika, biznesi, akademia dhe elitat ndërkombëtare.
Në dokumentet e fundit që u publikuan të premten nga Ministria e Drejtësisë e ShBA-së, u zbuluan pretendime tronditëse për përfshirje të mundshme të një shtetasi maqedonas – profesor në Universitetin Columbia – në sigurimin dhe eksportin e trurëve njerëzorë nga Maqedonia për eksperimente shkencore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas dokumenteve, bëhet fjalë për trutë e rreth 1.000 njerëzve, një pjesë e të cilëve nga persona që kanë kryer vetëvrasje. Hetimi nuk përmban informacione nëse familjet e të ndjerëve në Maqedoni kanë dhënë pëlqim për një përdorim të tillë të organeve, as nëse institucionet maqedonase kanë qenë në dijeni apo kanë dhënë leje për një eksport të tillë.
Në një nga email-et e publikuara, të datuar më 5 shkurt 2019, flitet për kërkime që lidhen me shkaqet dhe aspektet biologjike të vetëvrasjeve. Në korrespondencë përmenden edhe shkencëtarë nga disa universitete të njohura amerikane, ndër të cilat Pittsburgh, Columbia, Neë York dhe Yale.
Në pjesën që i referohet Maqedonisë, thuhet fjalë për fjalë se “vendi i vogël ballkanik Maqedonia i siguron trurët falë një anëtari të stafit akademik të Universitetit Columbia, i cili vjen prej andej dhe që ndihmoi në organizimin e të gjithë procesit”. Sipas përshkrimit, trurët ishin ngrirë menjëherë pas nxjerrjes, transportoheshin me avion nën shoqërim të veçantë dhe dërgoheshin në një distancë prej rreth 7.500 kilometrash drejt SHBA-së. Atje përfundonin në kuti speciale, të shënuara me kode QR, me pjesë të disektuara të indeve të shënuara sipas anës dhe datës së marrjes.
Kujtojmë se, Epstein, në vitin 2008 u dënua në Florida për shfrytëzim të të miturave për prostitucion, ndërsa në vitin 2019 u akuzua nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së për trafikim qeniesh njerëzore me qëllim shfrytëzimi seksual. Përkatësisht ai akuzohej se, vajzat e mitura i dërgonte në ishullin e tij privat në Karaibe, ku i abuzonte seksualisht dhe i përdorte për trafikim ndërkombëtar, ndërsa përdorte lidhjet me njerëz të fuqishëm për të mbuluar veprimtaritë e tij.
Në gusht 2019, Epstein u gjet i vdekur në qelinë e tij të burgut në Neë York, ndërsa vdekja e tij u shpall zyrtarisht si vetëvrasje.
Teuta Buçi /SHENJA/

