(VIDEO) Dogana ngriti 85 kallëzime penale, buxheti u dëmtua për 239 mijë euro

Drejtoria Doganore ka dorëzuar 85 kallëzime penale për më pak se 5 muaj brenda këtij viti, numër që është i barabartë me numrin total të kallëzimeve penale të ngritura në periudhën 3 vjeçare nga viti 2020 deri në vitin 2022, deklaroi drejtori i Drejtorisë Doganore, Boban Nikollovski. Ai tha se po ndërmerren veprime në shumë fronte me qëllim të luftimit të krimeve shumëvjeçare që lidhen me automjete të përdorura, abuzimet dhe mashtrimet me importin e ushqimit që synojnë shmangien e taksave, të cilat kanë shkaktuar dëme të drejtpërdrejta në buxhetin e shtetit.
MARKETING
BOBAN NIKOLLOVSKI, DREJTOR I DREJTORISË DOGANORE
“Jemi të vendosur të merremi me bandat kriminale dhe ti paguajmë të gjitha taksat që i detyrohemi shtetit. Këtë vit, Departamenti i Hetimeve pranë Sektorit të Kontrollit dhe Hetimeve ngriti 41 kallëzime penale kundër 32 personave juridikë dhe 118 individëve për krime të kryera me 140 automjete në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe në Prokurorinë Themelore Publike, të cilët kanë shkaktuar dëm të drejtpërdrejtë në Buxhetin e shtetit nga shmangia e pagesës së detyrimeve në vlerë prej 14.7 milionë denarësh, apo 239 mijë euro”.
Nikollovski vuri në dukje se është parandaluar një përpjekje për të importuar ilegalisht një automjet të përdorur Mercedes E 350, për të cilin janë shmangur detyrime doganore prej 450,000 denarësh.
BOBAN NIKOLLOVSKI, DREJTOR I DREJTORISË DOGANORE
“Janë zbuluar vepra penale në çdo fazë të çështjes. Kjo është një shkelje e rëndë e të gjitha ligjeve, në të cilën janë kryer vepra të shumta penale, duke përfshirë falsifikimin e një dokumenti, përdorimin e një dokumenti me përmbajtje të rreme dhe abuzimin me detyrën dhe autoritetin zyrtar”.
Ai tha se gjithashtu dogana ka zbuluar se një importues, me ndihmën e një përfaqësuesi doganor, importoi makina midis viteve 2022 dhe korrik 2024 dhe përdori të dhëna të rreme për të shmangur pagesën e një pjese të detyrimeve të importit në shumën prej 1.6 milion denarësh, ku bëhet fjalë për 34 makina me një vlerë totale prej 145,251 eurosh.
Medina Ajeti /SHENJA/