(VIDEO) Dogana konfiskon mallra ilegale nëpër vendkalimet kufitare

Rroba, këpucë, parfemë, çanta, pjesë të dritareve, janë disa nga gjërat që konfiskoi Dogana në disa pika kufitare. Drejtoria e Doganave njoftoi se gjatë ditëve të fundit janë parandaluar tentativa për kontrabandë mallrash të ndryshme, ku në një rast është sekuestruar një veturë e konstruktuar, përshtatur dhe personalizuar posaçërisht për fshehjen e mallit. Mallrat kaq qenë disa nga Kina, disa nga Turqia.
Drejtoria e Doganave të RMV-së
“Në pikën kufitare ‘Dojran’, në automobil janë zbuluar 67 palë rroba, 329 lenta kineziologjike për mbrojtjen e muskujve, janë gjetur në bagazhin e automobilit në pikën kufitare në ‘Tabanoc’. Në ‘Bllacë’, janë gjetur 2 900 pjesë të dritareve PVC”.
Në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, Shërbimi i skanerëve celularë kishte zbluar makinën me targa gjermane e cila ishte konstruktuar, përshtatur dhe personalizuar posaçërisht për fshehjen e mallit.
Drejtoria e Doganave të RMV-së
“Rasti është zbuluar në dalje të vendkalimit kufitar ‘Tabanoc’, ku është përdorur një skaner celular për skanimin e veturës, duke zbuluar bunkerë në prag. Vetura është sekuestruar, ndërsa kundër drejtuesit të veturës, shtetas i Maqedonisë, për shkelje të rregullave doganore do të bëhet kallëzim përkatës në gjykatën kompetente”.
Gjithashtu njoftojnë se janë sekuestruar rreth 130 veshje dhe këpucë në valixhe dhe çanta të vendosura në bagazhin e veturës me targa të Maqedonisë së Veriut, me të cilën dy shtetas të Maqedonisë së Veriut janë regjistruar për të hyrë në vend në vendkalimin kufitar Mexhitlija.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/