(VIDEO) Deputetët të hënën do të diskutojnë për rikonstruimin e Qeverisë, ndërrohen 4 ministra

(VIDEO) Deputetët të hënën do të diskutojnë për rikonstruimin e Qeverisë, ndërrohen 4 ministra

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut e ka pranuar propozimin e kryeministrit Dimitar Kovaçevski për rikonstruimin e qeverisë. Nga Kuvendi informuan se seanca për rikonstruimin e qeverisë është caktuar për të hënën në ora 15:00.

Nga qeveria informuan se propozimi I kryeministrit  Dimitar Kovaçevski për rikonstruimin e qeverisë përmban emrat e  katër ministrave dhe pesë zëvendësministrave.  Zgjedhje të reja kadrovike ka për ministritë e drejtësisë, shëndetësisë, shoqërisë informative dhe administratës, ku do të vijnë kuadro të Aleancës për shqiptarët, dhe për mjedisin dhe planifikimin hapësinor, ku në vend të BDI-së do të jetë kuadër i LSDM.

Zyra e shtypit e qeverisë njoftoi mëngjesin e sotëm se Krenar Lloga është propozuar për ministër në Ministrinë e Drejtësisë, Fatmir Mexhiti në Ministrinë e Shëndetësisë, Azir Aliu në Ministrinë e Shoqërisë Informative dhe Administratës, të tre nga radhët e ASH-së. Ndërsa propozim për ministër të ri në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor është Kaja Shukova nga LSDM.

Lloga zëvendëson Nikolla Tupançevskin, një departament i menaxhuar më parë nga LSDM, Mexhiti zëvendëson Bekim Salin nga Alternativa dhe Aliu zëvendëson Admirim Alitin, po ashtu nga Alternativa. Shukova do të duhet të zëvendësojë Naser Nuredinin nga BDI.

 

Për ministër të Drejtësisë është propozuar Krenar Lloga

Për ministër të Shëndetësisë është propozuar Fatmir Mexhiti

Për ministër të Shoqërisë Informatike dhe Administratës Azir Aliu

Për ministre të Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor është propozuar Kaja Shukova.

 

Rikonstruimi përfshin gjithashtu zëvendësministra në pesë ministri: mbrojtje, drejtësi, bujqësi, arsim dhe shëndetësi. Për zëvendësministër të Mbrojtjes është propozuar Tiron Jajaga nga Aleanca,  pëër zëvendësministre e Drejtësisë është propozuar Viktorija Avramovska – Madiq nga LSDM,  për zëvedësministre e Bujqësisë Vjollca Berisha nga aleanca,  për zëvendësministre e Shëndetësisë Maja Manoleva nga LSDM dhe për zëvendësministër të Arsimit Agim Nuhiu I BDI.

 

Për zëvendësministër Mbrojtjes është propozuar Tiron Jajaga

Për zëvendësministre e Drejtësisë është propozuar Viktorija Avramovska – Madiq

Për zëvedësministre e Bujqësisë Vjollca Berisha

Për zëvendësministre e Shëndetësisë Maja Manoleva

Për zëvendësministër të Arsimit Agim Nuhiu

 

Aleanca për shqiptarët e  paraqiti para opinionit Deklaratën e zotimeve qeverisëse, të dakorduar midis Kryetarit, Arben Taravari dhe Kryeministrit, Dimitar Kovaçevski.

 “Kjo deklaratë është gurëthemeli i punës sonë të ardhshme brenda koalicionit qeverisës. Kemi përcaktuar pesë prioritete të ndara në 22 zotime konkrete, për të cilat do të angazhohemi me tërë energjinë tonë deri në fund të legjislaturës. Për të zbatuar këto zotime, Aleanca për Shqiptarët ka zgjedhur më të mirët në radhët e veta për të udhëhequr resoret e saj brenda koalicionit qeverisës”.

 

Sipas Aleancës ekipi që ata kanë propozuar për ministra dhe zëvendës ministra do të përkrahet nga një numër i madh i zyrtarëve të shpërndarë në shumë drejtori dhe agjenci në të gjitha fushat e jetës publike. Sipas tyre hyrja në qeveri  është e bazuar në parimet e demokracisë së brendshme dhe të demokratizimit të shoqërisë, në një kohë kur Maqedonia e Veriut përballet me kriza të shumëfishta.

Hyrja e ASH-së në Qeveri e ka ngushtuar vendin për Alternativën, BDI-në dhe mandataren LSDM, të cilat duhet t’i lirojnë disa pozita.

Nga partia Alternativa njoftuan se me vëmendje janë duke i shqyrtuar të gjitha rrethanat të cilat i prishin principet mbi të cilat është dashur të mbështetej koalicioni Evropian. Ata njoftojnë se qëndrimin final nëse do të qëndrojnë në Qeveri ose jo do ta ndërtojnë në seancën e Kuvendit Qendror që do të mbahet të dielën me fillim në orën 16.00 në selinë partiake në Tetovë.

Aleanca për Shqiptarët ka 8 deputetë në Kuvend, ndërsa Alternativa 4. Shumica qeverisëse deri më tani ka 64 deputetë. /SHENJA/

 

MARKETING