(VIDEO) Deputetët shpenzuan 300 mijë euro për të shkuar në punë, kryesojnë Bozhinovski, Qoku dhe Ristevski

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut ka shpenzuar 18.6 milionë denarë, ose rreth 303,320 euro për shpenzime të rrugës të kërkuara nga deputetët gjatë një periudhe 13-mujore. Të dhënat e publikuara nga Radio Evropa e Lirë tregojnë se shuma prej 303.320 eurosh – nga të cilat 26.717 për taksa rrugore dhe 276.603 për karburant, u janë paguar 65 nga gjithsej 120 deputetë nga përbërja aktuale parlamentare dhe ato kanë të bëjnë me periudhën nga dita e seancës konstituive 28 maj 2024 deri më 30 qershor 2025.
SHPENZIMET E KUVENDIT PËR UDHËTIME TË DEPUTETËVE
“Që nga fillimi i mandatit aktual parlamentar 65 deputetë kanë marrë shpenzime të rrugës. Shuma më e lartë që i është paguar një deputeti është 13,200 euro, ose rreth 1,000 euro në muaj. Megjithatë, nëntë deputetë kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për të marrë me qira një apartament, për të cilin u shpenzuan 44,522 euro”.
Shuma më e lartë për 13 muajt e mëparshëm iu dha deputetit të VMRO-DPMNE-së, Kire Bozhinovski nga Resnja. Ai mori rreth 13,200 euro (810,897 denarë), ose mesatarisht 1,000 euro në muaj. Bashkëpartiaku i tij, Petar Risteski, është i dyti në listë me 12,000 euro (741,375 denarë). I treti me rradhë është koordinatori i grupit parlamentar VLEN, Bekim Qoku, i cili vjen nga Struga, ai ka marrë rreth 10,800 euro (661,892 denarë). Një tjetër deputet nga Struga, Jovan Mitreski nga LSDM, gjithashtu mori një shumë prej gati 10,000 eurosh (603,631 denarë).
Shpenzimet e udhëtimit për deputetet vazhdimisht kanë qenë temë diskutimi dhe kanë shkaktuar reagime të shumta në opinion. Disa herë nga institucionet përkatëse janë ngritur edhe dyshime për keqpërdorime lidhur me këto mjete që ndahen nga buxheti.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/