(VIDEO) Dënime me burg për rastin “Zinxhiri”

(VIDEO) Dënime me burg për rastin “Zinxhiri”

Pesë denime me burg dhe një denim me kusht, u shqiptuan për rastin “Zinxhiri”, që ka të bëjë me evazion fiskal. I akuzuari i parë Sasho Vuçkov është dënuar me 2 vjet e gjysmë burg, babai i tij poashtu me 2 vjet burg dhe 1.000 euro gjobë, ndërsa nëna e të akuzuarit të parë është dënuar me 1 vit e 11 muaj burg dhe 1000 euro gjobë. Dy të akuzuarit e tjerë, të cilët u deklaruan fajtorë, morën 2 vjet burg dhe nga 1000 euro gjobë secili. Vetëm një nga gjashtë të dyshuarit që u deklaruan fajtor një ditë më parë në gjykatë mori një dënim me kusht.

Përndryshe, gjykimi do të vazhdoj edhe për 11 personat e tjerë.

Për gjashtë kompani, përfaqësuesit e të cilave gjithashtu u deklaruan fajtorë dje, gjykata vendosi gjoba, por edhe ndalime për pjesëmarrje në thirrje publike dhe koncesione.

Paraprakisht, Prokuroria Publike ka njoftuar se janë arritur marrëveshje me gjashtë të dyshuar dhe gjashtë persona juridikë përgjegjës për rastin “Zinxhiri”, me të cilat janë kthyer në buxhetin e shtetit gati 1.000.000 euro.

Përndryshe, për rastin “Zinxhiri” i cili është hapur nga fundi tetorit vitin e kaluar, në hetim ishin të përfshirë 26 persona, pronarë dhe drejtues të 28 kompanive. Ata dyshohet se kanë krijuar një skemë të evazioni fiskal, përmes së cilës, duke lëshuar fatura me TVSH për blerjet e pretenduara të kryera, të cilat nuk ekzistonin, e kishin dëmtuar buxhetin e shtetit me rreth tetë milionë euro.

Emine Ismaili /SHENJA/

MARKETING