(VIDEO) Delegacioni i OJQ-ve nga Maqedonia e Veriut kanë realizuar disa takime të rëndësishme në Turqi

(VIDEO) Delegacioni i OJQ-ve nga Maqedonia e Veriut kanë realizuar disa takime të rëndësishme në Turqi

Delegacioni i OJQ-ve nga Maqedonia e Veriut në përbërje të shoqatave “Merhamet”, “Vizioni-M”,  “Köprü”, dhe “Ensar”, gjatë këtyre ditëve po qëndrojnë në Turqi, ku janë duke zhvilluar takime të rëndësishme me organizata të ndryshme joqeveritare turke, ndërsa në kuadër të këtyre takimeve po krijohen ura bashkëpunimi në sferat kulturore dhe humanitare.

Gjatë këtyre ditëve këto shoqata kanë realizuar takim me shoqatën “Üsküp Derneği” në Stamboll, ku u mirëpritën nga kryetari i saj, Naim Aras dhe kryetarin e Bordit të Rumeli Türkleri Vakfı, Melek Aras.

Përveç kësaj ata gjithashtu kanë zhvilluar takim edhe me organizatën e mirënjohur turke IHH, me ç’rast temë diskutimi mes palëve ishte  kontributi dhe ndihma e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut për të prekurit nga tërmeti i fundit në Turqi.

Ndërsa, takimi me shoqatat “Esenler Rumeliler Derneği” dhe “Mehmet Akif Ersoy” në Stamboll, ishte një takim miqësor ku u bashkëbisedua për rolin e diasporës shqiptare nga viset e Ballkanit në Turqi, organizimin e tyre në jetën sociale, arsimore dhe politike.

Kurse dy ditë më parë, përfaqësuesit e këtyre organizatave joqeveritare nën organizimin e komunës së Bajrampashës së Stambollit, kishin rastin që të realizojnë takim me kryetarin e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë (TBMM), z. Mustafa Shentop. Temë diskutimi në këtë takim ka qenë roli i popujve të Ballkanit në zgjedhjet e 14 majit të Turqisë.

Pas vizitës me kryeparlamentarin turk Shentop, ata kanë zhvilluar edhe dy takime tjera të rëndësishme në Stamboll, me përfaqësuesit e Lëvizjes Civilizuese Humane (Insan ve Medeniyet Hareketi) dhe me kryetarin e organizatës partnere “Vefa Vakfı” me qendër në Gjermani, Musab Aydın.

Ndërkaq dje, delegacioni i përbërë nga OKH “Merhamet”, “Vizioni-M”, “Köprü” dhe “Ensar”, kanë qëndruar në qytetin e Bursës, ku u mikpritën nga Kryetari i Komunës Osmangazi Mustafa Dundar dhe nënkryetari i Provincës së Bursës së AK Partisë Adnan Kurtulush.

Në këtë  takim u diskutua edhe roli vendimtar i zgjedhjeve të 14 Majit për popullatën e shpërngulur nga vendet e Ballkanit që jetojnë në Bursa, e që lidhen drejtpërsëdrejti me zhvillimin e jetës politike, sociale dhe ekonomike.

Përndryshe, ditë më parë, përfaqësuesit nga vendi, përveç që kanë qenë mysafirë special të AK Partisë në tubimin e madh të Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan në Stamboll, ata gjithashtu kishin rastin që të realizojnë takim edhe me zëvendëskryetarin e AK Partisë, Numan Kurtullmush, ku u theksua roli konstruktiv i Turqisë për Ballkanin. /SHENJA/

 

MARKETING