(VIDEO) Debat në Shenja: Turqia është vendi ku mund të arrihet marrëveshja SHBA-IRAN
Njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Nefail Emini, vlerëson se fitorja e Peter Maxhar në zgjedhjet parlamentare në Hungari nuk pritet të ketë ndikim të madh në Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut. I ftuar në emisionin “Debat në SHENJA”, Emini theksoi se Hungaria, pavarësisht ndryshimeve politike të brendshme, nuk ka peshë të mjaftueshme diplomatike, ekonomike apo ushtarake për të ndikuar ndjeshëm në zhvillimet e rajonit. Ai shtoi gjithashtu se nuk pret rikthimin e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski në vend, duke theksuar se ai vazhdon të ketë azil politik në Hungari.
Ndërkaq ai vlerëson se Irani po përpiqet të shfrytëzojë maksimalisht rëndësinë strategjike të Ngushticës së Hormuzit, duke theksuar se zhvillimet e fundit në rajon dhe projektet energjetike të vendeve të Gjirit pritet të ndryshojnë rrjedhën e transportit të naftës.
Nefail Emini, njohës i çështjeve ndërkombëtare
“Duke marrë parasysh zhvillimet e fundit, shtetet e gjirit do të ndërtojnë dhe janë në planfikim të tubacioneve të reja të cilat do ta kalojnë naftën nëpër të gjithë territorin e Arabisë Saudite, në drejtim të Detit të Kuq dhe pastaj në drejtim të Kanalit të Suezit, dhe në këtë moment Irani po synon që ta përdor Ngushticën e Hormuzit për ta arritur një marrëveshje e cila sipas tyrë do të jetë nq fuqi 10 apo 20 vitet e ardhshme. Ndërsa sa i përket uraniumit, kjo është vija e kuqe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe molla e sherrit mes dy shteteve. Në qoftë se SHBA-ja bën tolerim në këtë pikë atëherë do të tregojë nëse kjo luftë ka qenë totalisht e paarsyeshme dhe e pavlefshme”.
Nga ana tjetër profesori universitar, Mevludin Ibishi, vlerëson se marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit karakterizohen nga një përplasje asimetrike, si në aspektin ushtarak ashtu edhe në atë politik.
Mevludin Ibishi, profesor universitar
“Në të dyja anët, në pjesën e SHBA-së dhe pjesën e Iranit, shoh një luftë asimetrike. Por shoh edhe një simetri në mendimin politik, apo të menduarit në kontekst të strategjisë. Nga njëra anë kemi Trmapin i cili nuk njeh askënd tjetër përpos mendimit të tij, që nuk ka ndonjë konstekt, të lëvizjeve të Lindjes së Mesme. Edhe në anën tjetër keni Gardën Revolucionare që kërkon edhe më tepër pushtet, përbrenda strukturës iraniane. Kemi një asimetri, një konflikt së kontekstin ushtarak dhe një simetri në mendimin politik dhe kur uleni sëbashku keni probleme, sepse të dyja anët janë maksimaliste”.
Sipas tij Turqia është më legjitime për të luajtur rolin e një vendit në të cilin do të ketë një marrëveshje mes Iranit dhe SHBA-së. Pasi vlerëson se ka një lidhshmëri më komplekse, e njeh terrenin më mirë, ka një paradigmë më të madhe me Izraelin, qoftë edhe në konflikt të retorikës.
Anida Murati /SHENJA/

