(VIDEO) Brukseli largon Bogojeskin nga Agjencia për Programet Arsimore Evropiane

(VIDEO) Brukseli largon Bogojeskin nga Agjencia për Programet Arsimore Evropiane

Petar Bogojeski është laruar nga posti i drejtorit të Agjencisë Kombëtare për Programet Arsimore Europiane. Këtë e ka bërë të ditur vetë Bogojeski në një njoftim në emër të partisë së tij në rrjetet sociale. Sipas tij, kanë arritur marrëveshje me kryeministrin Hristijan Mickoski, për të udhëhequr një institucion tjetër.

MARKETING

PETAR BOGOJESKI, DREJTOR I AGJENCISË KOMBËTARE PËR PROGRAMET ARSIMORE EUROPIANE DHE MOBILITETIN

“Është rënë dakord për një rishpërndarje të pozicioneve dhe institucioneve që do të menaxhohen nga Koncepti Maqedonas në kuadër të qeverisë,  me të cilën është vërtetuar që  Kryetari i Konceptit Maqedonas, Petar Bogojeski, do të udhëheqë një institucion tjetër”.

Sipas informacioneve që kanë qarkulluar në media, Bogojeski është larguar nga pozicioni pas një direktive nga Brukseli. Sipas këtyre informacioneve disa javë më parë Ministrisë së Arsimit dhe Agjencisë Kombëtare për Çështje Europiane Arsimore u ishte dhënë 30 ditë kohë për të përmbushur një sërë kushtesh të listuara në mënyrë të hollësishme përndryshe kjo agjenci në RMV do të  suspendohej ose të mbyllej plotësisht dhe që mbështetja nga Brukseli të ndërpritej. Ndër kushtet ishte edhe largimi I Bogojeskit nga posti I drejtorit.

Emërimi i Petar Bogojeskit si drejtor i kësaj agjencie para 2 muajve pati shkaktuar reagime të shumta negative në opinion por edhe nga Komisioni Europian. Menjëherë pas publikimit të informacionit, Komisioni Europian pati njoftuar se do të kërkojë shpjegim nga ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, lidhur me emërimin e Bogojeskit, pasi në opinionin publik pati reagime për qëndrimet e tij të shprehura në rrjetet sociale.

Bogojeski shquhet për shpërndarje të gjuhës së urrejtjes ndaj pothuajse të gjitha bashkësive etnike në vend, sidomos shqiptarëve, pasi që vazhdimisht shkrimet e tij janë komentuar dhe kanë bërë bujë në opinion. Ai është akuzuar edhe për keqpërdorime.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

 

 

MARKETING