(VIDEO) “Bota Serbe” përplas partitë shqiptare, banka e afërt me Radojçiqin hyn në RMV!

(VIDEO) “Bota Serbe” përplas partitë shqiptare, banka e afërt me Radojçiqin hyn në RMV!

Partitë opozitare shqiptare kanë reaguar pas lajmit që “Alta Banka” e Serbisë po hyn në tregun e Maqedonisë së Veriut. BDI dhe Aleanca për shqiptarët, krahu I Arben Taravarit kanë shprehur shqetësimin për, siç thonë ata, zhvillimet e fundit në sektorët strategjikë të vendit, ku kapitali dhe ndikimi i Serbisë po konsolidohet përmes një strategjie të koordinuar në telekomunikacion, bankë dhe media. Sipas tyre përshpejtimi i implementimit të agjendës së “Botës Serbe” në RMV tashmë nuk kufizohet vetëm në retorikë politike, por po merr formë konkrete përmes penetrimit ekonomik dhe politik, me siç thonë ata përfshirje aktive të VLEN-it si vegël në realizimin e këtij koncepti antiperëndimor.

BDI

“Zhvillimi i sotëm e vërteton këtë kurs: pas hyrjes së Telekomit Serb, tani kapitali serb po hyn fuqishëm edhe në sektorin bankar me ‘Alta Bank’. Pronari i saj, Davor Macura, ka lidhje të ngushta me Milan Radojçiç, organizatorin e aktit terrorist të Banjskës në Kosovë. Nuk bëhet fjalë për investim neutral, por për një mjet politik e financiar të ‘Botës Serbe’ për të rritur ndikimin e Beogradit në rajon”.

ASH, KRAHU I TARAVARIT

“Në vetëm pak muaj, Telekom Serbia ka shpallur investime të reja prej 50 milionë eurosh, me objektiv të qartë për t’u bërë operatori kryesor i telekomunikacionit në RMV. Paralelisht, ‘Alta Banka’ e Serbisë po hyn në sektorin bankar. Në frontin mediatik, rrjeti Neësmax Balkans dhe kanalet Arena Sport po zgjerojnë praninë kulturore e gjuhësore serbe në tregun e brendshëm”.

Ndërkaq, VLEN ka akuzuar se  Bujar Osmani dhe Artan Grubi, si ministra, kanë mbështetur dhënien e lejes për MTEL dhe kazinot serbe.

  VLEN

“Pa pëlqimin politik të Qeverisë ku mori pjesë BDI, MTEL nuk do të merrte licencë dhe nuk do të hynte në treg. Gjithashtu, qeveria e Osmanit dhe Grubit mori disa vendime për të lejuar hyrjen e kapitalit nga krimi i organizuar serb dhe malazez në biznesin e kazinove. Sot, Osmani paraqitet i shqetësuar për hyrjen e kapitalit serb, ndërsa Qeveria e tij e hapi tregun dhe dha dritë të gjelbër”.

VLEN pyet nëse  hyrja e paralajmëruar e “Alta Bankës” është  rezultat i shumë takimeve që Osmani  dhe Ali Ahmeti i patën me presidentin Vuçiç dhe me funksionarë të tjerë serbë?

/SHENJA/

MARKETING