(VIDEO) Bexheti: Nuk planifikojmë bojkot, duam të mos rrezikohet gjuha shqipe

(VIDEO) Bexheti: Nuk planifikojmë bojkot, duam të mos rrezikohet gjuha shqipe

Në qoftë se cenohet Ligji për Gjuhët, sigurisht se do të ketë krizë politike. Pra, ne nuk kemi paralajmëruar bojkot të zgjedhjeve lokale, por krizë të mundëshme politike. Kështu është shprehur deputeti i BDI-së Blerim Bexheti, për Radio Evropa e Lirë, i cili thotë se në varësisht prej asaj se çfarë do të ndodh me Ligjin e Gjuhëve, vështirë se mund të ketë zgjedhje lokale. Ndërkaq, përsëriti qëndrimin e liderit të tij, Ali Ahmetit se vendi ka nevojë për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Blerim Bexheti, deputet i BDI-së

“Ne nuk kemi paralajmëruar asnjëlloj bojkoti, ne çdoherë jemi të përgatitur për zgjedhje. Por, fakt është se vendit i duhen zgjedhje të parakohshme parlamentare, për të dalë nga situata në të cilën nuk respektohet legjitimiteti i bashkësisë së dytë etnike në shtet. Ne jemi të vetëdijshëm se si do të jetë reagimi i qytetarëve për Ligjin e Gjuhëve, prandaj kemi thënë se vështirë se mund të kemi zgjedhje lokale, sepse po prishet stabiliteti etnik”.

Në pyetjen se a mund të ketë trazira, Bexheti u përgjigj se stabilitet në shtet nuk mund të pritet.

Blerim Bexheti, deputet i BDI-së

“Nuk mund të pritet stabilitet. Në mesin e 13 subjekteve politike që e kanë inicuar iniciativën për Ligjin e Gjuhëve në Gjykatën Kushtetuese, është edhe VMRO-DPMNE. Mendoj se është e qartë, ku na çon kjo gjë. Kemi pritur që minimalisht dhe për korrektësi e respekt ndaj etnisë së dytë në shtet, të tërhiqet ajo iniciativë”.

I pyetur nëse në zgjedhjet lokale do të dalë në garë për Sarajin, Blerim Bexheti u shpreh se nuk ka ambicie për atë pozitë. Ndërsa për arratisjen e ish bashkëpartiakut të tij Artan Grubit, ai tha se qëndrimi i tij dhe i partisë është se të gjithë ata që kanë gabuar para ligjit, duhet të përgjigjen. Ndërsa, shtoi se ai as nuk ka pasur komunikim më herët dhe as pas këtij rasti dhe as nuk e din se ku ndodhet ai.

Emine Ismaili /SHENJA/

 

MARKETING