(VIDEO) Begaj takon Ahmetin: Shqiptarët në RMV janë faktor vendimtar shtetformues

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj i cili qëndroi në vizitë pune në Maqedoninë e Veriut, ka takuar kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti në Ohër. Begaj thotë se shqiptarët në RMV janë faktor vendimtar shtetëformues.
BAJRAM BEGAJ, PRESIDENT I SHQIPËRISË
“Me Ali Ahmetin është gjithmonë kënaqësi të takohesh e të ndash mendime. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë faktor vendimtar shtetformues dhe mbështetës të palëkundur të rrugës Euroatlantike të vendit, duke dëshmuar ngahera përkushtim ndaj paqes, stabilitetit, bashkëjetesës dhe vlerave demokratike”.
Ndërkaq, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti sqaron se kanë biseduar për përforcimin e marrëdhënieve ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, si dhe siç njofton Ahmeti, për rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit rajonal në funksion të stabilitetit, zhvillimit dhe integrimit të plotë të rajonit në Bashkimin Evropian.
ALI AHMETI, KRYETAR I BDI-SË
“Bashkëpunimi ndërmjet vendeve tona është kyç për të ndërtuar ura mirëkuptimi, për të forcuar partneritetet strategjike dhe për t’i dhënë rajonit një drejtim të qartë evropian. Angazhimi ynë i përbashkët për të ardhmen evropiane nuk është vetëm objektiv politik, por vizion i përbashkët për paqe të qëndrueshme, zhvillim ekonomik dhe perspektivë për qytetarët tanë”.
Ndërkohë, Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ishte në RMV me ftesë të Presidentes Gordana Siljanovska-Davkova. Pas takimitnga presidenca informuan se kanë biseduar për bashkëpunimin bilateral, rajonal dhe integrimin europian. “Në këtë takim janë vlerësuar lartë raportet e mira miqësore dhe bilaterale mes RMV-së dhe Shqipërisë, ndërkaq janë dakorduar se lidhja infrastrukturore rajonale është mënyra më e mirë për thellimin e bashkëpunimit mes dy shteteve”.
Samir Mustafa /SHENJA/