(VIDEO) BDI “vendos çadrat” para Gjykatës Kushtetuese

(VIDEO) BDI “vendos çadrat” para Gjykatës Kushtetuese

“NUK E JAPIM GJUHËN”….. këto ishin disa prej brohoritjeve të simpatizantëve të opozitës shqiptare të mbledhur para Gjykatës Kushtetese, ku sot është mbajtur një konferencën e jashtëzakonshme e Bashkimit Demokratik për Integrim. Nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi, njoftoi për nisjen e iniciativës “Roja e Gjuhës”, e cila bëhet siç theksoi ai, për të mbrojtur të drejtën tonë të barazisë dhe identitetit. Ai paralajmëroi se Gjykata Kushtetuese me iniciativë të VMRO DPMNE-së ka  planifikuar një seancë për të shqyrtuar kushtetutshmërinë e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Dhe si shkak i kësaj që nga dita e sotme, më 8 dhjetor, ai deklaroi se do të qëndrojnë para Gjykatës Kushtetuese, ditë dhe natë, në mënyrë paqësore, për të siguruar që asnjë vendim të mos prishë atë që është ndërtuar me sakrifica.

Arbër Ademi, nënkryetar i BDI-së

“Gjuha është identiteti ynë. Barazia është themeli ynë. Marrëveshja e Ohrit është garancia jonë për një shoqëri të drejtë dhe të barabartë. Nga ky vend dhe nga kjo ditë, ne shpallim iniciativën “Roja e Gjuhës” – një nismë historike për të mbrojtur të drejtën tonë të barazisë dhe identitetit. Nga sot, më 8 dhjetor, deri më 11 dhjetor, ne do të qëndrojmë këtu, para Gjykatës Kushtetuese, ditë dhe natë, në mënyrë paqësore, për të mbrojtur të drejtat tona dhe për të siguruar që asnjë vendim të mos prishë atë që kemi ndërtuar me sakrifica”.

Ademi tutje theksoi se këtu janë mbledhur për të ngritur zërin për një çështje e cila prek themelet e barazisë në shtetin shumetnik dhe se shfuqizimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve , sipas tij, do të thotë rrëzimi i një prej shtyllave kryesore të Marrëveshjes së Ohrit.

Arbër Ademi, nënkryetari i BDI-së

“Ky ligj nuk është thjesht një akt juridik. Ai është një simbol i Marrëveshjes së Ohrit, një marrëveshje që i dha fund një periudhe të errët të margjinalizimit, përjashtimit dhe diskriminimit, që solli deri te lufta e vitit 2001 dhe hapi rrugën për paqe, stabilitet dhe bashkëjetesë. Ky ligj është themeli i barazisë gjuhësore, një e drejtë që u garantua përmes përpjekjeve të përbashkëta dhe ndërmjetësimit ndërkombëtar. Çdo përpjekje për ta shfuqizuar atë është një sulm ndaj arritjeve tona historike dhe një goditje e drejtpërdrejtë ndaj bashkëjetesës ndëretnike”.

Nënkryetari i BDI-së tha se kjo qeveri jolegjitime çdo ditë po përpiqet të minojë themelet e një shoqërie multietnike.  Në vend që të punojë për një të ardhme të përbashkët, sipas tij, ajo po përçan, po manipulon dhe po sulmon parimet mbi të cilat qëndron ky shtet.

Anida Murati /SHENJA/

 

MARKETING