(VIDEO) BDI: Trubareva digjej, Mexhiti merrej me aktivitete partiake!

“Izet Mexhiti nuk di për përgjegjësi, di vetëm për interes personal”, kështu shprehet përmes një komunikate me shkrim për media Bashkimi Demokratik për Integrim duke shtuar se përderisa ajri mbrëmë në Shkup kundërmonte helm, Izet Mexhiti, i cili, siç thonë ata, duket se ka harruar se është ministër i Mjedisit Jetësor, nuk tha asnjë fjalë. Nga BDI thanë se ashtu siç dje nuk lëvizi as gishtin për të ndihmuar dhe për të treguar se është lider dhe politikan i përgjegjshëm, po ashtu edhe gjatë dy dekadave të kaluara në Çair, ai i ka ikur problemeve dhe ka ndjekur interesat e tij të biznesit.
Bashkimi Demokratik për Integrim
“Në kohën kur Shkupi kundërmonte plastikë të djegur, për Izet Mexhitin ishte më e rëndësishme të transmetonte drejtpërdrejt një aktivitet partiak në Çair, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. E pyesim: pse ikët nga konferenca e jashtëzakonshme për shtyp ndërkohë që banorët e Trubarevës evakuoheshin vonë natën? A keni qoftë edhe një grimë përgjegjësie për funksionin që ju është besuar”.
Edhe zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska, deklaroi se zjarri në Trubarevë ngre shumë pyetje të cilave institucionet duhet t’u përgjigjen.
Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse e LSDM-së
“Kryeministri Mickoski thotë se ‘ajri në Shkup vetëm duket i ndotur, por nuk është alarmant’. Stojançe Angelov flet për një sulm hibrid, sikur të ishim në një film spiunazhi, dhe jo në një katastrofë të vërtetë ekologjike. Pançe Toshkovski është plotësisht i humbur midis historive të sajuara dhe zhvendosjes së përgjegjësisë te dikush tjetër dhe sikur të mos ekzistonte. Orçe Gjorgievski nuk sheh tym, por ‘zjarre politike për pikë politike’. ‘Qytetarët po mbyten dhe nuk shohin një përgjigje institucionale ndaj kësaj katastrofe ekologjike”.
Ka reaguar VMRO-DPMNE, të cilët thonë se hipokrizia e LSDM-së vazhdon përderisa ata duket se shprehin shqetësim, ndërsa jashtë syrit të publikut janë të gëzuar dhe të relaksuar, duke shijuar përfitimet e jetës që Zoran Zaev u ka sjellë atyre.
VMRO-DPMNE
“Një hipokrizi e tillë e SDS-së është lexuar nga qytetarët. Këto konferenca për shtyp të tyre, të cilat janë të rreme, me dy fytyra, janë vetëm një pasqyrim i largësisë së udhëheqjes së tyre, e cila ndërsa shtyp njoftime dhe konferenca për shtyp të pamenduara, nuk mund ta kuptojë se ne nuk jetojmë të gjithë në Mars si udhëheqja e tyre, dhe ne shihemi rreth Shkupit, dhe gjithashtu shohim se sa të shqetësuar janë ata për situatën”.
Sipas VMRO-DPMNE-së gjëja më tragjike do të jetë nëse vërtetohet se LSDM dhe BDI qëndrojnë pas sulmeve me zjarrvënie para zgjedhjeve të cilat siç thonë ata, nuk kanë ndodhur kurrë në vitet e kaluara, dhe shtuan se atëherë do t’u duhen maska sepse Idrizova është afër Trubarevës.
Anida Murati /SHENJA/