(VIDEO) BDI: Qeveria po saboton hapjen e dy kilometrave të autostradës Shkup-Bllacë

Bashkimi Demokratik për Integrim ka shprehur shqetësim për, siç e quan, sabotimin e qëllimshëm të projektit të autostradës Shkup-Bllacë. Sipas tyre, ka rëndësi strategjike jo vetëm për shqiptarët, por për gjithë rajonin dhe partneritetin tonë me Republikën e Kosovës. BDI akuzon Qeverinë se po zvarrit dhe po bllokon hapjen e mbi dy kilometrave të përfunduara të autostradës, duke përdorur pretekste si ‘revision teknik’ dhe ‘procedura të reja prokurimi’. Sipas BDI-së, ky është një veprim politik për të ndalur projektet që lidhen me interesat kombëtare të shqiptarëve.
Bashkimi Demokratik për Integrim
“Edhe pse më shumë se dy kilometrat e para janë përfunduar me sukses gjatë qeverisjes së kaluar, kjo Qeveri vazhdon të refuzojë hapjen e tyre për përdorim publik, fillimisht duke premtuar gjoja një “revision teknik”, e tash duke deklaruar fillimin e një “procedurë të re për prokurim publik”. Ky është një skenar i njohur politik për të zvarritur dhe bllokuar qëllimisht projektet që janë iniciuar nga BDI dhe që lidhen drejtpërdrejt me interesin strategjik të vendit”.
Tutje ata vlerësojnë se qëllimi dhe logjika që e udhëheq këtë qeveri pa legjitimitet etnik është që çdo investim madhor që është planifikuar dhe nisur nga BDI duhet të ndalet, të zhbëhet dhe të harrohet. Sipas BDI-së, kjo Qeveri funksionon nën tutelën e interesave që duan të minojnë rolin institucional të shqiptarëve në shtet.
Për më tepër, ata thonë që më shqetësuese është roli i VLEN-it, që në vend të përfaqësojë interesat e shqiptarëve, është shndërruar në zbatues të bindur të agjendës politike të VMRO-së. Ndërkaq nga BDI thonë që pas tetorit do t’i sigurojë qytetarët me rikonfirmimin e saj si forcë udhëheqëse, se të gjitha projektet e nisura do të marrin rrugën e përfundimit, ashtu siç e meritojnë qytetarët.
Anida Murati /SHENJA/