(VIDEO) BDI dhe VLEN përplasen për ndikimin në drejtësi

“Drejtësia” dhe “Ndikimi në Drejtësi” ka përplasur në mënyra deklarative Bashkimin Demokratik për Integrim dhe koalicioni VLEN. Nga opozitarja BDI deklarojnë se kapja e drejtësisë pranohet publikisht nga partnerët e qeverisë. Sipas tyre, shteti nuk mund të ndërtojë të ardhme evropiane mbi themelet e një drejtësie të kapur.
BASHKIMI DEMOKRATIK PËR INTEGRIM
“Deklaratat e dhëna dje nga Izet Mexhiti, një nga drejtuesit e një partie të vogël brenda koalicionit qeverisës, janë tronditëse dhe thellësisht alarmante për çdo qytetar që beson në shtetin e së drejtës. Në një dalje televizive në një nga mediat proqeveritare, z. Mexhiti deklaroi se “nëse Taravari vendos të bashkëpunojë me BDI-në, atëherë qeveria do i bën favore BDI- së për të liruar të akuzuar për korrupsion. Kjo nuk është një lapsus. Kjo është një pranim publik se drejtësia në këtë vend është e kapur, dhe se qeveria mund të ndërhyjë në vendimet e prokurorisë dhe gjyqësorit”.
Ndërkaq, nga koalicioni VLEN akuzojnë pikërisht BDI-në se është siç thonë, emëruesi kryesor i të gjitha ndikimeve në drejtësi.
VLEN
“Nuk ka hipokrizi më të madhe se kur BDI qan për drejtësi. Mjaftojnë vetëm tri pyetje të shpejta: Kush e nisi fushatën mediatike kundër kryetares së Gjykatës Supreme? A ishte kjo fushatë për të siguruar që faljet e Gjorgje Ivanovit të vlejnë edhe për Nikolla Gruevskin? Kush i solli ndryshimet e turpshme në Kodin Penal? Përgjigjja është e njëjtë për të gjitha, BDI është emëruesi i përbashkët i çdo vendimi të porositur në drejtësi”!
Po kjo BDI, shtojnë nga koalicioni VLEN, ka tentuar që t’ia shtronte qilimin e kuq Nikolla Gruevskit – në Shkup, ndërsa shtojnë se koha e tyre ka kaluar, pasi Shqiptarët sipas koalicionit VLEN, e kanë dhënë verdiktin.
Samir Mustafa /SHENJA/