(VIDEO) BDI akuzon për keqpërdorime në MEPSO, VLEN mohon
Partia opozitare shqiptare, BDI nuk është duke u kursyer aspak ndaj drejtorit të MEPSO, Burim Latifi, duke ngritur vazhdimisht dyshime për keqpërdorim të tenderëve publikë, lidhje familjare dhe favorizime partiake. Sipas tyre, skandalet që lidhen me MEPSO-n po shndërrohen në simbol të kapjes së institucioneve nga interesa të ngushta politike e familjare, ndërsa kërkojnë hetim të plotë dhe përgjegjësi për çdo dyshim të ngritur në opinion.
Rasti i fundit të cilët kanë përmendur nga BDI, është Kompania Grin Meitenens (“Green Maintenance”), e cila sipas tyre, është themeluar vetëm pak javë para shpalljes së tenderit, pa histori pune, pa kapacitet të dëshmuar dhe pa prani reale në terren, ndërsa thkesojnë se ka arritur të fitojë kontratë me vlerë deri në 236 mijë euro për pastrimin e korridoreve nën largpërçues.
TABELË:BDI
“Ajo që e bën rastin edhe më skandaloz është fakti se njëri nga pronarët e kompanisë, Shaban Shefki, shfaqet publikisht si aktivist dhe përkrahës i VLEN-it dhe Izet Mexhitit, ndërsa kontratën e nënshkruan drejtori i MEPSO-s, Burim Latifi kusheriri i parë i Izet Mexhitit i njohur për marrëveshjen kriminale me kompaninë e Banja LLukës që dëmtoi shtetin 6 milion euro”.
BDI kërkon nga Komisioni Antikorrupsion, Enti Shtetëror për Revizion dhe Prokuroria që menjëherë të hapin procedurë dhe të hetojnë nëse pas këtij tenderi qëndron një skemë e organizuar për nxjerrjen e parasë publike.
Ndërkohë, reagimi i koalicionit VLEN ishte i menjëhershëm. Nga ky koalicion thanë se BDI po manipulon opinionin, duke e paraqitur ofertën më të lirë si rast korrupsioni, vetëm pse, sipas tyre, janë ndërprerë praktikat e vjetra të keqpërdorimit të parave në MEPSO, ndërsa me shifra dhe numra konkret ata kanë shpjeguar të gjithë skemën.
TABELË:VLEN
“Faktet janë të qarta: në procedurën konkrete është zgjedhur oferta më e lirë. Ofertuesi i përzgjedhur ka ofruar çmim prej 184.535 denarësh pa TVSH, ndërsa oferta e renditur e dyta ka qenë 651.165 denarë pa TVSH. Diferenca është 466.630 denarë, përkatësisht oferta e zgjedhur është rreth 72 për qind më e ulët”.
BDI, sipas VLEN-it, nuk ka kredibilitet të flasë për transparencë, duke shtuar se ata janë simbol i partizimit, klientelizmit dhe shëndërrimit të ndërmarrjeve publike në plaçkë partiake, ndërsa theksojnë se BDI gënjen sepse po u shembet sistemi i kontrollit dhe i zhvatjes së parave publike.
Samir Mustafa /SHENJA/

