(VIDEO) Avramovski: Rasti i Koçanit dëm kolateral i ndryshimeve në Kodin Penal
MARKETING
Një vit pas tragjedisë në Koçan, procesi gjyqësor ndaj 35 personave dhe tre kompanive vazhdon të përballet me sfida serioze. Për ekspertët e drejtësisë, mënyra se si është ndërtuar rasti dhe ndryshimet në Kodin Penal po ndikojnë drejtpërdrejt në rrjedhën dhe epilogun e tij.
MARKETING
Drejtori ekzekutiv i Koalicionit “Të gjithë për gjykim të drejtë”, Darko Avramovski, në një intervistë për “Radio Evropa e Lirë” vlerëson se rasti është konceptuar në mënyrë problematike që në fillim, duke krijuar pengesa për një proces të drejtë dhe efikas.
DARKO AVRAMOVSKI, DREJTOR I KOALICIONIT TË GJITHË PËR GJYKIM TË DREJTË
“Publiku pret shpejtësi, por ne presim drejtësi dhe thelbësim. Problemi është se sistemi aktualisht nuk po arrin të tregojë kapacitet për të dyja. Një rast kaq i madh do të përballet me zvarritje dhe vështirësi.”
Sipas tij, një nga gabimet kryesore është fakti që të gjithë të akuzuarit ndiqen për të njëjtën vepër, ndërsa një pjesë e tyre duhej të hetoheshin për korrupsion. Ndryshimet në Kodin Penal, thotë ai, kanë ndikuar që shumë vepra të rrezikojnë parashkrimin.
DARKO AVRAMOVSKI, DREJTOR I KOALICIONIT TË GJITHË PËR GJYKIM TË DREJTË
“Ky është një rast tipik i dëmit kolateral nga ndryshimet në Kodin Penal, sepse ato u miratuan pa analiza të qarta për pasojat që mund të kenë në raste konkrete. Në këtë rast, një pjesë e të akuzuarve duhej të ndiqeshin për vepra që lidhen me korrupsionin, por për shkak të ndryshimeve ligjore ekziston rreziku që këto vepra të parashkruhen. Kjo jo vetëm që ndikon në rrjedhën e procesit, por edhe në mundësinë për të arritur drejtësi të plotë.”
Ndërkohë, sfidat në sistemin e drejtësisë mbeten të shumta , nga mungesa e stafit dhe burimeve, deri te besimi i ulët i qytetarëve. Sipas Avramovskit, ndryshimet ligjore nuk mjaftojnë pa analiza reale dhe zbatim në praktikë. Ai theksoi se pa reforma thelbësore dhe funksionim efektiv të institucioneve, raste të tilla do të vazhdojnë të zvarriten, duke lënë në pikëpyetje drejtësinë dhe besimin e publikut.
Samir Mustafa /SHENJA/

