(VIDEO) AUV: 125 mijë kontrollet, vihen gjoba prej 618 mijë eurove
Nga Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinarisë kanë njoftuar se vitin e kaluar janë kryer mbi 125 mijë kontrolle në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut. Mes tjerash nga AUV bëjnë të ditur se janë shqiptuar edhe gjoba në vlerë prej 618 mijë euro.
AGJENCIA PËR USHQIM DHE VETERINARI
“Krahas tregtisë së brendshme, objekt i kontrolleve ishin edhe prodhimi, shpërndarja, gastronomia, si dhe importi dhe eksporti. Theksi i kontrolleve u vendos në zbatimin dhe mirëmbajtjen e procedurave të Praktikës së Mirë Higjienike dhe Praktikës së Mirë Prodhuese, si dhe të sistemit HACCP për sigurinë ushqimore”.
Frekuenca e kontrolleve zyrtare, nga AUV informojnë se është realizuar në përputhje me kategorizimin e objekteve (operatorëve ushqimorë) sipas rrezikut, ku objektet e kategorizuara me rrezik të lartë janë kontrolluar më shpesh sesa ato të kategorizuara si operatorë me rrezik të ulët.
AGJENCIA PËR USHQIM DHE VETERINARI
“Në vitin 2025, nga numri i përgjithshëm, u realizuan gjithsej 47.200 kontrolle në tregtinë e brendshme, në kuadër të mbikëqyrjeve të rregullta dhe të jashtëzakonshme inspektuese, me ç’rast u lëshuan 5.406 vendime, u paraqitën 10 kallëzime për kundërvajtje, u shqiptuan 1.073 urdhër-pagesa për kundërvajtje me vlerë totale prej 618.010 eurosh në kundërvlerë në denarë. U paraqitën gjithashtu 8 kallëzime penale, të gjitha nga fusha e mbrojtjes shëndetësore dhe mirëqenies së kafshëve”.
Nga atje njoftojnë se në kuadër të këtyre kontrolleve, janë konfiskuar dhe u asgjësuar ushqim i pasigurt (mish dhe produkte mishi, qumësht dhe produkte qumështi, fruta të thata, vezë, peshk, produkte ëmbëlsirash, si dhe pije alkoolike dhe joalkoolike) në një sasi totale prej 355.377 kilogramësh.
Samir Mustafa /SHENJA/

